Ekspertët e BE-së zbarkojnë në Tiranë për krizën politike
Do të qëndrojnë vetëm 24 orë në Tiranë dhe brenda kësaj kohe do të përgatisin boçetën e draftit që do të diskutohet në takimin e dytë Berisha-Rama. Më pas, do të nisen për në Bruksel për t’u raportuar krerëve të tyre vullnetin e politikanëve shqiptarë për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi. Sot mbërrijnë në Tiranë pesë ekspertët e Bashkimit Europian që do të zhvillojnë takime me drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialistë për të identifikuar pikat e takimit dhe ato të ndarjes së draftit që më pas do të formulohet dhe do t’u shpërndahen palëve. Delegacioni që drejtohet nga zv/shefja e kabinetit të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, përkatësisht Jana Sindelkova, bashkë me një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin, si dhe një përfaqësuesi të Këshillit Europian, por edhe një jurist të njohur të Komisionerit të Venecias, do të zhvillojnë sot në kryeqytetin shqiptar takime me Berishën dhe Ramën, por edhe me trupin diplomatik të BE-së. Ata nuk do të qëndrojnë gjatë, por mesazhi drejtuar politikës do të jetë i qartë: Jemi të autorizuar të marrin një mesazh final nga ju në lidhje me ofertën për kompromis politik. Por mësohet se ekspertët nuk do të vijnë me bllokun bosh, por me një draft fillestar, i cili është diskutuar tashmë nga palët. Mësohet se çështja që do të diskutohet më shumë do të jetë ajo e destinacionit të hapjes së kutive të fletëve të votimit, pasi për materialet tashmë është rënë dakord nga palët. Juristi i Komisionit të Venecias pritet të japë një aksiomë ligjore të zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe për këtë do të kërkohet përgjigjja e shkurtër nga Berisha dhe Rama me “Po ose me Jo”. Dy ditë më parë, zyrtarë të lartë të BE-së nga Brukseli theksuan se ekspertët europianë nuk do të udhëtojnë për në Tiranë me mandatin për të imponuar zgjidhje apo kompromis, por thjesht për të lexuar e për të kuptuar më mirë qëndrimet e palëve, e më pas, në bazë të ekspertizës së tyre, për të ofruar vetëm këshilla. Drejtuesit e BE-së kanë insistuar në qëndrimin e tyre se u takon dy forcave politike në Shqipëri për të arritur një kompromis. Por Brukseli, duke pasur një mosbesim të madh ndaj klasës politike, do të mbikëqyrë edhe zbatimin e marrëveshjes.
Shqetësimi i BE-së nuk lidhet me mosmarrëveshjet politike, se sa me funksionimin “gjysmak” të institucioneve në vend. “Gjatë kësaj periudhe janë miratuar shumë ligje, akte apo strategji në Parlament. E për ne duket sikur mazhoranca po kalon me shpejtësi çfarë kërkon Brukseli, por pa debat mbi përmbajtjen e tyre. Ndaj është e rëndësishme prania e opozitës aty, për të parë se çfarë ndodh me zbatimin e MSA-së, me gjyqësorin, me ekonominë e çështje të tjera. Kjo është më shumë e rëndësishme se sa arritja e këtij kompromisi, i cili tek e fundit, pas disa kohësh, do të harrohet”, bënë të ditur zyrtarët e Komisionit Europian.
#