Vizat, Brukseli: Rekomandim pozitiv, por me disa kushte

Kolegji i Komisionerëve pritet të miratojë sot, në mbledhjen e radhës, rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën. Ashtu siç është bërë e ditur edhe në të kaluarën, sipas burimeve të “Top Channel”, rekomandimi i Komisionit pritet të jetë pozitiv, por i kushtëzuar nga përmbushja e kritereve të mbetura. Ndërkohë që formulimi përfundimtar do të bëhet i ditur pas mbledhjes së Kolegjit, përmes një komunikate për shtyp, që kabineti i komisioneres Cecilia Mallmstrom pritet të lëshojë sot pasdite ose të enjten, në versionin e fundit të draft-rekomandimit ku përcaktohet se si Shqipëria ashtu edhe Bosnja do të kenë nga tre kushte secila për të plotësuar, në mënyrë që këto vende të mund të përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave. Në kategorinë e kushteve përmendet zhvillimi i një politike dhe strategjie për të mbështetur riintegrimin e të riatdhesuarve shqiptarë. Gjithashtu nënvizohet nevoja e forcimit të kapaciteteve të zbatuesve të ligjit dhe implementimi efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku përfshihet dhe përcaktimi i burimeve të duhura njerëzore dhe financiare. Komisioni kërkon zbatim efikas të ligjit të ri, i miratuar në vitin 2009, në fushën e konfiskimit të aseteve kriminale.
Pa dallime, në kushtin e dytë që për Bosnjën është i pari në listën e Komisionit, për vendin tjetër të prapambetur në këtë proces, kushtet e tjera janë specifike për sistemin boshnjak. Komisioni kërkon forcimin e kapaciteteve dhe zbatimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zbatim efikas i planit të aksionit për shkëmbimin elektronik të të dhënave mes prokurorisë dhe policisë. Gjithashtu konstatohet nevoja e harmonizimit të Kodit Penal të entiteteve dhe distriktit Brcko me atë në nivel shtetëror. Formulimi për kushtet e paplotësuara mbetet subjekt ndryshimi deri në ditën e publikimit të rekomandimit nga Komisioni, por sipas zyrtarëve europianë të përfshirë në këtë proces, Shqipëria dhe Bosnja nuk pritet t’i shpëtojnë rregullit të ndjekur për Serbinë dhe Malin e Zi një vit më parë, të cilat përfituan liberalizim të vizave vetëm pasi Brukseli vlerësoi se kushtet e mbetura ishin plotësuar. Pas miratimit të mërkurën nga Kolegji i Komisionerëve, rekomandimi do t’i kalojë për miratim Parlamentit Europian e më pas Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së për vendimin përfundimtar.
Me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës, parlamentet nacionale të 27 vendeve anëtare kanë të drejtë të shprehen, duke ndryshuar ose jo, çdo iniciativë ligjore përpara votimit nga Parlamenti Europian, i cili në skenarin më të mirë parashikohet të ndodhë në mes të shtatorit. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit nga dy institucionet e tjera europiane shoqërohet me verifikimin në terren të kritereve të mbetura për Shqipërinë dhe Bosnjën nga ekspertët e BE-së për vizat. Ajo që mbetet e paqartë dhe e papërcaktuar ende është se cili nga takimet e ministrave të Brendshëm të BE-së, ai i muajit tetor, nëntor apo dhjetor, do të diskutojë këtë rekomandim gjatë Presidencës belge. Shqiptarët do të kenë të drejtë të lëvizin pa viza në vendet “Schengen”, 20 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare Europiane të vendimit të 27 ministrave të Brendshëm.
#