E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Është rritur krimi ndaj pasurisë

Kryeprokurorja në Kuvend: Imuniteti na pengon për hetimin e korrupsionit

Kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama, ka deklaruar dje para deputetëve se imuniteti i zyrtarëve të lartë është një nga pengesat e organit qendror të akuzës për të luftuar edhe më me efikasitet fenomenin e korrupsionit. Prokurorja e Përgjithshme, duke iu përgjigjur disa pyetjeve të deputetëve, ka theksuar se “imuniteti është një handikap që nuk e lehtëson fazën paraprake të një hetimi, i cili është i vështirë dhe duhet të përdorë të gjitha mjetet për të, pasi më parë do të duhet që të përgatitet raporti për heqjen e imunitetit”. Sipas saj, në këtë rast ky material është i vështirë për t’u hartuar nëse nuk lejohet hetimi mbi zyrtarin e dyshuar. Kryeprokurorja propozoi si një zgjidhje që vetëm autorizimi për përcaktimin “i pandehur” të zyrtarit të bëhet me autorizim të posaçëm, ndërsa hetimet mund të nisin menjëherë sapo të jepen të dhënat e para. Ndërkaq, në mbledhjen e parë të komisionit ku ka marrë pjesë opozita është zhvilluar një debat i ashpër, i cili ka degraduar edhe në përplasje personale, që në fund si rezultat ka sjellë miratimin e një rezolute vetëm me votat e deputetëve të PD-së.

Raporti

Kryeprokurorja Ina Rama ka raportuar dje në Komisionin e çështjeve Ligjore, mbi ecurinë e luftës ndaj kriminalitetit gjatë vitit 2009. Duke folur në lidhje mbi treguesit, kreu i organit të akuzës theksoi se “grupveprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike në përgjithësi janë me tendencë në rritje dhe në mënyrë të veçantë veprat penale të vjedhjes, vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit, vjedhjes me armë, mashtrimit, mashtrimit në sigurime etj. Në tendencën në rritje të këtyre grupveprave penale çmojmë se kanë ndikuar faktorë socialë dhe ekonomikë”.

Ndërkaq, në lidhje me veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike, Rama theksoi se evidentohet me tendencë uljeje në nivel kombëtar, si rrjedhojë e goditjes dhe parandalimit të kësaj veprimtarie nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Megjithatë mbetet ende shqetësuese goditja e kësaj vepre penale në territore të caktuara të vendit. Në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, Kryeprokurorja e Republikës theksoi në raportin e saj se ka një ulje të numrit të personave të marrë të pandehur, por theksoi se ende ka një numër të lartë të çështjeve nën hetim.

Debati

Me anë të pyetjeve, por edhe në miratimin e rezolutës finale, është zhvilluar një debat i ashpër mes mazhorancës dhe opozitës. Relatori i çështjes, Eduard Halimi, ka deklaruar në fjalën e tij se prokuroria nuk duhet të kundërshtojë ligjet e miratuara nga Kuvendi, duke iu referuar ligjit Antimafia. Por fjala e Halimit është konsideruar nga opozita si një presion ndaj prokurorisë. Në pyetjet e tyre, të dyja palët kanë nxjerrë çështje të përplasjeve politike, siç janë zgjedhjet e 2008-s, apo bllokimi i rrugëve, por edhe vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Prokurorja e Përgjithshme është munduar t’u përgjigjet pa u futur në debate politike. Pas përfundimit të seancës së pyetjeve, mazhoranca ka shpërndarë një projektrezolutë në të cilën theksohet ndër të tjera se nuk kanë marrë përgjigje të qarta akuzat ndaj prokurorisë, që janë ngritur nga institucione të pavarura si KLSH, KQZ apo ILDKP-ja. Opozita ka kundërshtuar tekstin, duke kërkuar plotësimin e tij. Deputeti socialist, Pandeli Majko, i kërkoi mazhorancës që të mos miratojë një rezolutë të njëanshme, por një tekst me kompromis. Por kreu i komisionit, Ilir Rusmali, ka kundërshtuar argumentet e opozitës, duke theksuar se opozita bën propagandë me ligjin dhe rregulloren. Në fund, rezoluta u miratua vetëm me votat e deputetëve të PD-së. Parlamentarët e PS-së kanë abstenuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›