E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e huaj: Shqipëria duhet te mbrohet nga problemet qe mund të ketë në të ardhmen

TIRANE- Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ellen Golgstein e pranishme në ditën e dytë të Konferencës “Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, organizuar nga Partia Socialiste me ekspertë të huaj, vuri theksin në cështjet, të cilat duhet të vlerësohen si primare nga qeveria e re socialiste. 

Sipas saj, parandalimi i krizave në sektorin e energjisë, krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësim cilësor të arsimit, reformat strukturore fiskale dhe mbrojtja e burimeve natyrore, mbeten sfidat për qeverinë e re. 

"Shqipëria ka ecur përpara, është vend i mrekullueshëm, por duhet të mbrohet nga problemet që mund të ketë në të ardhmen”, tha ajo.
Sipas saj, “për krijimin e vendeve të punës kërkohen reforma strukturore, të cilat kanë mbetur pas”. 

Ellen Golgstein renditi si shkaqe faktet, që Shqipëria ka sot deficit të lartë, mos rritje të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe moszgjidhjen e problemit të pronave. 

Një ndër pikat kryresore sipas Bankës Botërore mbetet rritja e cilësisë së arsimit, si një objektiv ky fatgjatë. 

"Kjo është e rëndësishme, pasi gjysma e të rinjve shqiptarë janë analfabetë dhe ende larg standardit të BE”, tha ajo.
Reformat strukturore në sistemin fiskal mbeten sfidë për qeverisjen e re socialiste, pasi sipas BB, ndërthurjet mes problemeve që ka sot vendi, sjellin për pasojë, që “sot qeveria paguan më shumë për interesat e borxhit se sa për arsimin”. 

Ellen Golgstein e vuri theksin tek domosdoshmëria për cilësinë e investimeve publike, reformën në sistemin e pensioneve, transparenca në administratën pulbike, që sipas saj, “mbetet një tregues se sa do të arrijë në kohë një qeveri që të jetë përgjegjëse dhe llogaridhënëse ndaj votuesve”. 

Përfaqësuesja e Bankës Botërore u ndal dhe tek sfida që ka sot Shqipëria për menaxhimin e mbetjeve, për të cilën u shpreh se “vetëm një cerek e pikave të nxehta në Shqipëri janë duke u pastruar”. 

Sipas saj, “vendi ka deficenca në menaxhimin e mbetjeve të këqija, të cilat e vendosin Shqiperinë në rrezik”, ndërsa kërkoi gjithashtu se “qeveria e re duhet të punojë për të menaxhuar me mirë edhe burimet ujore”. 

Ish gurvernatori i Bankës së Turqisë, duke ju referuar zhvillimeve ekonomike botërore në 100 vitet e fundit, u shpreh se “që programet e qeverisë së re të jenë të mira, duhen diagnozë e saktë e situatës dhe mbi këtë, një recetë e mirë”. 

Ai vuri theksin tek krijimi i një mjedisi ekonomik dhe social. “Që një vend të rritet duhet të ketë bujqësi rurale moderne, industri në zhvillim, sistem i fortë fiscal”, tha ish-Guvernatori I Bankës së Turqisë. Sipas tij, problemet strukturore janë afatgjata dhe kërkojnë ndryshime, të tjerat janë afatshkurtëra dhe duhet të ecin më shpejt. “Displina fiskale është kyc për suksesin”, u shpreh ish-Guvernatori i Bankës së Turqisë. 

“Komunikimi, transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut mbeten kryesore në punën e qeverisë”, përfundoi ai.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›