Ekspertët maqedonas: S'ka celula të Al Kaedës në Ballkan
Ekspertët maqedonas të sigurisë deklarojnë se janë të pakta mundësitë që rrjeti terrorist i Al Kaedës të infiltrohet në Maqedoni dhe vende të tjera të Ballkanit. Sipas profesorit Stevo Pendarovski, aktualisht në Maqedoni nuk ka celula të Al Kaedës, por nëse ato ekzistojnë në vende të tjera të rajonit, do të godisnin strukturat amerikane dhe ato britanike.
"Me sa di unë, qeliza të Al- Kaedës në Maqedoni nuk ka. Dikush thotë se ka në Bosnjë Hercegovinë ose në Sanxhak. Megjithatë këtu duhet bërë një dallim, nëse ato janë qeliza të Al Kaedës ose grupeve radikale. Momentalisht qeliza të Al-Kaedës që mund të jenë operacionale në Maqedoni nuk ka." ka theksuar Pendarovski.
Ai shtoi gjithashtu se nëse strukturat operative të organizatës terroriste do të instaloheshin në Ballkan, ato do të organizonin sulme ndaj ambasadave të SHBA dhe Britanisë në vendet e rajonit, duke qenë se janë vendet kryesore në luftën kundër terrorizmit.