Berisha: Përmbytjet nga moti, spekullimet të turpshme
TIRANE- Kuvendi miraton rezolutë për përmbytjet Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot me anë të një rezolute që t'i kërkojë Qeverisë që të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe njerëzore të saj për kapërcimin sa më të shpejtë të të gjitha pasojave të përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. Me anë të kësaj rezolute Kuvendi i "kërkoi Qeverisë të ndëmarrë të gjitha masat për vlerësimin real dhe objektiv, si dhe zhdëmtimin e plotë të të gjithë qytetarëve dhe familjeve të prekura dhe të dëmtuara nga përmbytja". "Qeveria, ministritë dhe të gjitha agjensitë e vendit të nisin punën për rehabilitimin e zonës së prekur, pastrimin mjedisor të saj normalizimin sa më të shpejtë të jetës së njerëzve dhe veprimtarisë së tyre në këto zona", thuhet në rezolutën e miratuar sot. "Qeveria të përparësojë të gjitha projektet që i japin zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë parandalimit të fatkeqësive të ngjashme natyrore"', përfundon rezoluta e miratuar sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Topalli: Në Shkodër operacioni më i madh i evakuimitEdhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në fjalën e saj të mbajtur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit u shpreh se për të përballuar situatën e krijuar u morën të gjitha masat, pasi sipas saj: “Ishin ditët kur e gjithë Shqipëria shikonte nga Shkodra, ditë kur të gjithë u bashkuan dhe u instaluan në Shkodër për realizuar operacionin më të madh të evakuimit të jetëve njerëzore, pasi Shqipëria nuk mund të imagjinohet pa Shkodrën”. Kryeparlamentarja falenderoi të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij operacioni të madh dhe theksoi se situata në Shkodër është drejt normalizimit. Në fjalën e saj Jozefina Topalli shënjestroi liderin opozitar Edi Rama dhe të gjithë ata që përhapën panik për situatën e krijuar duke thënë se: “Ata që telefonuan për të përhapur panik, gabuan”. Po sipas saj “gjatë këtyre ditëve të kësaj fatkeqësie që ndodh një herë në 100 vjet, zoti Edvin jashtë cdo morali shpresonte atë që kurrkush nuk do të dontë të ndodhte. Ndërsa theksoi se, “Rama detyroi këshilltarët bashkiakë që të votonin kundër fondit të emergjencës ndaj Shkodrës. Dje ai me një montazh filmik i tregoi shqiptarëve hartën e zonave të përmbytura”, që sipas kryeparlamentares ishin të falsifikuara. Topalli u shpreh edhe një herë se fatkeqësia në Shkodër erdhi nga ngrohja globale, ndërkohë që premtoi dëmshpërblim për banorët e zonave të përmbytura dhe rindërtim të shtëpive që ende ndodhen nën ujë. “Angazhimi ynë është që kur fshatrat të dalin nga uji do të bëhen më të bukura, kur të mbarojmë të gjithë këtë punë atëherë mbaron misioni ynë. Fatkeqësia në Shkodër na rikujtoi se ka një shpresë, për të kapërcyer vuajtjet e mëdha me dinjitet të madh”- vijoi Topalli. Berisha: Përmbytjet nga moti, spekullimet të turpshmeNë seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvend, fjalën e mori i pari kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër e cilësoi edhe njëherë si fatkeqësi natyrore. Kreu i qeverisë i quajti spekullime të turpshme akuzat e opozitës për keqmenaxhim të situatës në hidrocentrale, duke theksuar se përmbytjet u shkaktuan nga fenomenet e rralla dhe të pazakonta që përfshinë vendin në fundin e dhjetorit dhe në fillim të janarit. “Të gjitha spekullimet që bëhen përsa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. Është e turpshme. Nëse ishte puna për të shitur energji, qeveria ime dhe KESH e shiste atë në tetor, në nëntor. E vërteta është që kaskada ka një rregullore e cila harmonizon prodhimin e energjisë elektrike, mbrojtjen e digave, shmangien sa me të mundshme të përmbytjeve” theksoi Berisha përpara deputetëve të mazhorancës të pranishëm në sallën e kuvendit. Berisha u shpreh se kjo fatkeqësi natyrore ndodhi në një kohë të shkutër dhe po në një hark kohor të shkurtër u morën masa pë të përballuar situatën."Shkodrës dhe rrethinave të saj përbën një rast të vecantë për mua qeverinë dhe deputetët. Të nderuar deputetë, ditët e fundit të dhjetorit dhe java e parë e janarit u karakterizuan nga fenomene natyrore të rralla, të rënd dhe të pazakonta, në njërën anë, rreshjet e mëdha të cilat përfshinë të gjithë verilndjen e Shqipërisë, nga ana tjetër një rritje, një dalje e paparë e detit dhe vërshimi i tij në zonat bregdetare të Kurbinit dhe Shkodres shoqëruar këto të gjitha me një rrymë afrikane ajri që ngriti temperaturat në Shqipërinë e mesme në 24 gradë bënë që lumenjtë të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodres dhe rrethinave të saj në një hark kohor të shkurter”- theksoi Berisha gjatë fjalës së tij. Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka vlerësuar edhe rolin e mediave si më pozitivin të mbajtur ndonjëherë, duke thënë se kanë qënë pranë zonave të përmbytura për të përcjellë lajmin më të fundit për publikun e gjërë në cdo kohë. “Asnjëherë mediat Shqiptare nuk kanë lujtur një rol më pozitiv se në këtë situatë, me raportimin direkt nga zonat e përmbytura” – u shpreh Berisha. Berisha shtoi se sipërmarrja energjetike e vendit ka zbatuar pikë për pikë rregulloren ndërsa nënvizoi se në asnjë moment nuk ka ekzistuar rreziku për carjen e digave në hidrocentrale. “Qyteti kurrë nuk kishe asnjë kërcënimm nga digat. Digat janë një mbrojtje ndaj vërshimeve të Drinit” u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se gjatë gjithë ditëve të vështira, objektivi kryesor ishte shpëtimi i jetës së njerëzve, objektiv që u arrit plotësisht. “Objektivi madhor ishte shpëtimi i jetës së njerezve. Janë evakuuar mbi 5000 qytetarë, operacioni i shpëtimit ishte i suksesshëm. Një solidaritet i madh shpërtheu brenda dhe jashtë vendit, sot nuk ka qytet që të mos ketë nisur miliona lekë ndihma monetare dhe materiale për zonën e përmbytur” tha Berisha. Në mbyllje të fjalës së tij kreu i mazhorancës shprehu mirënjohje për të gjithë ata që punuan me përkushtim në ndihmë të të prekurve nga kjo fatkeqësi ndërsa garantoi qytetarët e Shkodrës për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara. “Dua ti garantoj qytetarët e Shkodrës dhe nënShkodrës se kjo përmbytje do të shndërrohet në një kapitull te ri mundësish dhe projektesh në të cilat kjo qeveri do të bëjë që të përballohet cdo lloj përmbytje me kostot më minimale” tha Berisha. Nis seanca e jashtëzakoshme e KuvenditKa nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për përmbytjet në veri të vendit. Socialistët vendosën dje në Asamblenë Kombëtare të mos marrin pjesë në këtë seancë. Seanca u hap nga kryeparlamentarja Topalli , e cila shprehu keqardhjen për vendimin e PS për të mos qenë e pranishme as në seancën kushtuar fatkeqësisë natyrore në vend. “Ndjej keqardhje kur shikoj karriget bosh” u shpreh Topalli ndërsa nënvizoi se seanca e sotme do ti kushtohet vetëm situatës së përmbytjeve. Kreu i PS Edi Rama tha se opozita do të vazhdojë të jetë në protesta në sheshe me një arsye më shumë për largimin e qeverisë e cila sipas tij është përgjegjëse edhe e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Deputetët e opozitës nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit që nga shtatori i vitit që shkoi, prej fillimit të legjislaturës së re, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit të 28 qershoritt me pretendimin se brenda tyre ka një rezultat tjetër nga ai i shpallur. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh për median se pas kërkesës së deputëteve të opozitës për të pasur të hënën një seancë të jashtëzakonshme për emergjencën në Shkodër, konferenca vendosi t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese duke afruar seancën e parashikuar për ditën e enjte, për ditën e hënë dhe duke vendosur në rend dite vetëm çështjen e situatës së emergjencës civile në qarkun e Shkodrës. Me refuzimin që PS po i bën seancës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se opozita po manipulon politikisht situatën e fatkeqësisë së përmbytjeve çka, ajo e quan, fund të moralit politik të saj. Per mese dy jave ne fund, në fillim të këtij viti përmbytje të mëdha patën komunat e qarkut të Shkodrës, si rezultat i reshjeve të shumta të shiut dhe shkarkimeve nga hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin. Për pasojë u përmbytën rreth 11.400 hektarë tokë dhe rreth 2500 shtëpi Aktualisht në këtë zonë, si rezultat i motit të thatë uji po tërhiqet nga një pjesë e territorit të përmbytur ndërsa tani pritet përllogaritja e dëmeve nga kjo fatkeqësi natyrore. (e.n/m.a/BalkanWeb)