I ngjiz me fekondim artificial, lind në Melburn elefanti aziatik
MELBURN-Kopshti zoologjik i Melburn mirëpriti ardhjen në jetë të këlyshit të parë të elefantit në historinë e tij 147 vjeçare pas dy ditësh pritje të ethshme. Këlyshi ende pa emër, i seksit femër, u ngjiz falë fekondimit artificial. Pas një shtatëzanie 22 mujore Dokoon, një elefante aziatik femër, solli në jetë këlyshin gjatë orëve të para të mëngjesit. Drejtori i Kopshtit Zoologjik të Melburn, Kevin Tanner, tha se ndjehej si një baba i lumtur: "Kemi mes nesh një vajzë të vogël me peshë 100 - 110 kilogram. Ajo është e shëndetshme e në gjendje të përkryer fizike" tha ai. Elefantja e vogël është një ndër dy këlyshët e lindur në këtë kopsht zoologjik australian e njëkohësisht e vetmja femër. "Ajo është çamarroke, vërtet e këndshme. Sapo doli në dritë nisi të hidhej e të përdridhej duke ardhur rrotull. Madje u mundua të vraponte ndërsa kujdestarët mundoheshin ta ndihmonin të ecte" tha kujdestari Jan Steel. Si nëna ashtu edhe e vogla e saj do të ruajnë një lidhje të fortë me njëra tjetrën ndërkohë që do të vëzhgohen pareshtur nga veterinarët para se t’i paraqiten publikut. (d.b/News24/BalkanWeb)