E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa e shpëtimit, bursat kundërpërgjigjen pozitivisht

Reagime të ndryshme për rolin e ri të Bankës Qendrore Europiane

Komisioni Europian ka vendosur dje në dispozicion të zgjidhjes së krizës së borxheve të disa vendeve dhe të vetë mbrojtjes së monedhës së përbashkët shumën gjigante prej 1 trilion dollarësh. Sipas analistëve, kjo shumë e madhe ishte “goditja e fuqishme” që prisnin tregjet financiare për të rifituar besimin dhe për të shënuar shifra pozitive, të paktën për sa i përket një perspektive afatshkurtër. Liderët europianë kanë negociuar dje në orët e para të ditës para se të arrinin një marrëveshje sipas së cilës, qeveritë e BE-së që përdorin euron si monedhë, do të bashkohen me BE-në dhe FMN-në, në ndihmën që do t’u japin vendeve që kanë dhe do të kenë në të ardhmen vështirësi financiare për shkak të krizave buxhetore. Banka Qendrore Europiane do të blejë borxhin privat dhe shtetëror, për të bërë që tregjet e borxheve të punojnë me një kosto huadhënieje më të ulët. Këto masa konsiderohen si “artileria e rëndë” e BE-së. Vendimi i marrë ka shkaktuar pozitivitet të menjëhershëm në tregjet financiare dhe ato të aksioneve në mbarë borën. Euro u rikthye në vlerat e saj të një jave më parë, pas një humbjeje që kishte pësuar ditët e fundit.
Ndërhyrja e Bankës Qendrore Europiane është mirëpritur në masë të gjerë nga analistët. Kjo ishte një përpjekje për t’i dhënë fund gjithë periudhës së turbullirës që po kalon aktualisht Eurozona edhe pse janë shtruar shumë pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e ardhshme të bankave. Në një deklaratë për shtyp, këshilli drejtues i Bankës Qendrore Europiane e justifikoi lëvizjen e fundit si një mjet të domosdoshëm në kuadrin e masave të tjera për të shpëtuar monedhën euro. Kriza europiane ka qenë shumë shqetësuese gjatë gjithë këtyre kohëve. Në një moment të fundit, ajo u bë shqetësuese edhe për vetë Presidentin amerikan, Obama, i cili i telefonoi Presidentit francez, Sarkozi dhe kancelares gjermane Merkel, për të marrë vesh hollësira për mënyrat e zgjidhjes së krizës. Frika më e madhe e të gjithëve ishte ajo e tronditjes së ekonomisë botërore dhe se shtetet e Zonës së Euros do të pësonin fat të ngjashëm me atë të shumë bankave, apo institucioneve financiare amerikane që falimentuan pas fillimit të krizës financiare në vitin 2008. Kjo krizë i tkurri shumë bankat për sa i përket huadhënies dhe kjo pati pasojat e saj në të gjithë ekonominë amerikane dhe botërore. Frika ka të bëjë edhe me shqetësimin afatgjatë se edhe vende të tjera problematike të Eurozonës do të kenë probleme të mëdha për sa i përket deficiteve buxhetore. Sipas analistëve, të paktën për momentin, është eliminuar frika se qeveritë nuk do të kenë fonde për të paguar borxhet e tyre. Nga ana tjetër ka nga ata që edhe pse parashikojnë një qetësi afatshkurtër, nuk e përjashtojnë një rikthim të situatës së vështirë në një këndvështrim afatgjatë. Një tjetër vërejtje është se masat e marra vënë në kurrizin e qeverive të përgjegjshme mëkatet e qeverive që nuk janë treguar të tilla dhe se gjithsesi nuk ka ende rregulla të forta mbikëqyrëse që do të garantonin maksimalisht rikthimin e situatave të vështira ekonomike për shkak të borxheve. Sipas një analisti, një manovër e tillë vetëm sa ka blerë pak kohë për vendet problematike dhe për vetë euron, por askush nuk mund të thotë me qartësi dhe saktësi se gjithçka është mjaftueshëm dhe se problemi tashmë është zgjidhur. Sipas tij, europianët po përpiqen që të japin një shembull uniteti me marrjen e masave të përbashkëta financiare, por gjithçka që ata po bëjnë në këtë rast është blerja e kohës. Analistë të tjerë janë të mendimit se për sa kohë që qeveritë e ndryshme vazhdojnë që të grumbullojnë sasi të mëdha borxhi, situata nuk do të ndryshojë për mirë në mënyrë të përhershme. Në këtë kuadër, Presidenti i Komisionit Europian, Baroso deklaroi se do të merreshin shumë shpejt masat e duhura për të mbikëqyrur situatat financiare të vendeve dhe për të parandaluar krizat.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›