E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët takime me krerët e partive për ndryshimet në Kod

24/10/2011  Komisioni i Venecies dhe ODIHR-it mbërrin në Tiranë për një vizitë dyditore

Zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri dhe kontenstimi i tyre nga ana e opozitës në lidhje me rezultatin për Bashkinë e Tiranës ka sjellë dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të kodit elektoral. Pikërisht për këtë do të mbërrijë sot në Tiranë një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecies dhe ODIHR-it, i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecies Tomas Markert. Ndërsa bëhet me dije se qëllimi i vizitës së ekspertëve të Komisionit të Venecies është reforma zgjedhore dhe pikat ku mund të ndryshohet Kodi aktual, nuk përjashtohet mundësia që një pikë tjetër e bisedimeve të jetë dhe heqja e imunitetit, ku PD-ja e PS-ja janë shprehur të gatshme për bashkëpunim, por ndahen sa i përket çështjes së prekjes së Kushtetutës. Këshilli i Europës pak ditë më parë shprehu keqardhje për mungesën e dialogut politik të nevojshëm, ndërkohë vëren se partitë politike dështuan në përmbushjen e detyrimeve të tyre për menaxhimin siç duhet të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Shkak i vizitës dyditore të delegacionit të ekspertëve ndërkombëtarë zgjedhorë është shkëmbimi i pikëpamjeve të Komisionit të Venecies dhe ODIHR-it mbi përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit zgjedhor dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, të bazuara këto në kërkesën e disa javëve më parë të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland. Gjatë këtyre dy ditëve delegacioni pritet të zhvillojë takime me kryetarin e mazhorancës Berisha, Kryetaren e Kuvendit, ministrin e Punëve të Jashtme, kryetarin e opozitës si dhe me përfaqësues të partive të tjera politike, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri etj. Në përmbyllje të vizitës delegacioni i ekspertëve të Komisionit të Venecies dhe ODIHR-it do të mbajë një konferencë për shtyp të martën.

Kërkesa

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, i kërkoi Komisionit të Venecies që të shprehej në lidhje me ndryshimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor shqiptar, në mënyrë që të shmanget tejzgjajtja e daljes së rezultatit final, e cila lindi si pasojë e garës elektorale për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Rezoluta e Këshillit të Evropës

“Zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri ishin demokratike dhe transparente, porse u shoqëruan nga tensione mes dy koalicioneve kryesore, ndërsa fushata elektorale, e cila duhej të ishte përqendruar në çështjet dhe nevojat lokale, u fokusua në akuzat e ndërsjella politike mes kandidatëve”, - thuhet në rezolutën e Këshillit të Evropës Këshillit të Evropës.

Të vegjlit

Nëse dy partitë kryesore janë dakord me një rregullim të proporcionalit rajonal, partitë e vogla kërkojnë minimalisht korrektim kombëtar, në mos proporcional kombëtar. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, mendon se zgjidhjet duhet të nisin nga rregullimi i sistemit, i cili duhet të jetë “proporcional qoftë kombëtar, qoftë rajonal, ashtu siç është, por me korrektim kombëtar”. Partia e tretë në vend, LSI-ja, është shprehur para pak ditësh pro ndryshimeve kushtetuese, duke pohuar se mandatet e përfaqësimit politik në Kuvend nuk përputhen me vullnetin real të zgjedhësve. Ndërsa kreu i PSD-së theksoi se më i përshtatshëm do të ishte sistemi spanjoll.

Pikat kryesore ku mund të përqendrohen palët në kërkesat e tyre

Nisin këtë javë bisedimet mes PD-së e PS-së për reformën zgjedhore

Delegacioni i Komisionit të Venecies gjatë dy ditëve që do qëndrojë në vendin tonë pritet të zhvillojë takime kokë më kokë me krerët e dy partive kryesore në vend. Nga ana e tyre socialistët do të fokusohen te kërkesat e parashtruara në platformën e tyre, ku kërkojnë me ngulm nisjen sa më shpejt të ndryshimit të kodit aktual zgjedhor. Oferta e Opozitës së Bashkuar ka të bëjë me administrimin zgjedhor, ku të majtët kërkojnë pavarësi të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, dy institucione këto të kontestuara me forcë në vendoret e 8 majit. Burime nga dy partitë e mëdha bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që këtë javë të nisin dhe negociatat mes palëve për këtë çështje. Nga të dyja kampet bëhet me dije se në parim palët janë dakord për rishikimin e numrit të mandateve që prodhon një qark. Kjo skemë do të favorizonte opozitën në disa qarqe të Jugut dhe mazhorancën në disa qarqe të Veriut dhe Shqipërisë së Mesme. Nga ana e saj mazhoranca duket se është më pak e predispozuar që të bëjë këtë ndryshim mandatesh, pasi formula aktuale e favorizon ndjeshëm. Numri i deputetëve që mazhoranca fiton në Jug është më i madh se ai që humbet në Veri. Madje, duke shtuar edhe LSI-në, formula aktuale e favorizon atë tej mase. Por përveç kërkesës së opozitës PD-ja duhet të përballet edhe me aleatët e saj të vegjël, siç janë LSI-ja dhe PDIU-ja, që insistojnë për një proporcional me korrigjim kombëtar. Pavarësisht mendimeve të hedhura në qarkullim nga forcat e mëdha dhe të vogla politike, i gjithë korrigjimi i numrit të deputetëve që dalin nga qarqet duhet bërë brenda formulës së pandryshueshme prej 140 deputetësh.

Svoboda: Reforma zgjedhore të fillojë para dhjetorit

“Partitë politike shqiptare duhet të nisin urgjentisht nga puna për reformën zgjedhore për të mos humbur shansin e dhjetorit”, - kjo ishte kërkesa e bërë nga Brukseli nga ana e eurodeputetit Hanes Svoboda, i cili në një prononcim për mediet shqiptare theksoi dje se komisioni parlamentar për reformën elektorale duhet të ngrihet përpara muajit dhjetor, ku do të mbahet edhe mbledhja e Këshillit të Bashkimit Europian. Sipas zëvendëskryetarit të grupit socialist në Parlamentin Europian, reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it është një nga kriteret kryesore politike të rikërkuara në raportin e Komisionit Europian. “Unë mendoj se ka tashmë një mesazh të qartë nga ana e Parlamentit Evropian për të dyja grupet e mëdha politike. Qeveria dhe opozita duhet të gjejnë mënyrën për të diskutuar së bashku çështjet e kodit elektoral. Unë mendoj se kërkesa jonë është e qartë: gjeni zgjidhje dhe bëjeni këtë përpara takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të muajit dhjetor, që të shihet se te ju ka filluar një bashkëpunim i mirë dhe një vullnet i vërtetë për të vënë në jetë axhendën evropiane”, - tha Svoboda.

urodeputetja thekson se duhet të ngrihet një komision parlamentar për Kodin

Doris Pack: Reforma zgjedhore të zhvillohet në tryezë të përbashkët

Europarlamentarja Doris Pack e grupit politik të Partive Popullore të PE-së u shpreh dje se duhet punuar së bashku për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas saj, shembujt e bashkëpunimit nuk mungojnë, pavarësisht se rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin. “Për reformën zgjedhore duhet ngritur një komision i përbashkët parlamentar. Kur kjo u arrit herën e fundit, ne kemi qenë të kënaqur që të dyja partitë e mëdha politike ranë dakord për të bërë së bashku një kod zgjedhor. Të gjitha partitë që janë në parlament duhet të bien dakord për të ngritur një komision parlamentar dhe për të diskutuar për një ligj të ri elektoral sipas rekomandimeve të OSBE-së. Ai duhet të reflektojë të gjitha vërejtjet e të jetë më i mirë se ky që është tani”, - u shpreh dje eurodeputetja Doris Pack. Parlamenti Europian kërkon që puna për reformën elektorale të fillojë sa më shpejt, pasi në muajin dhjetor Bashkimi Europian do të ketë mbledhjen e radhës dhe politika shqiptare ka më shumë se një muaj kohë për të gjetur gjuhën e përbashkët për ndryshimin e ligjit aktual zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›