E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgët i heqin shqiptarit veshkën funksionale, i lënë arterien hapur

24/10/2011  B. Meta, 45 vjeç shkon për të operuar shpretkën, i hiqet veshka e shëndoshë.

SAVONA(ITALI)-Mjekët italianë i heqin gabimisht të vetmen veshkë funksionale një 45-vjeçari shqiptar. Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se mund të konsiderohet si një gabim pas gabimi, sepse jo vetëm që i hoqën të vetmen veshkë që funksiononte, por nuk i ishte mbyllur në mënyrë të plotë arteria e saj. Gjithçka ndodhi gjatë operacionit të kryer të mërkurën në spitalin “San Paolo” nga doktori italian Andrea Piccardo, me detyrë kryekirurg. Pardje në mëngjes pacienti B. Meta, shtetas shqiptar, 45 vjeç është kthyer përsëri në sallën e operacionit. Kjo ndërhyrje ka zgjatur rreth një orë e gjysmë dhe e ka lejuar ekipin e kirurgjisë dhe urologjisë, të drejtuar nga Dr. Piccardo, që të mbyllte atë arterie, e cila vazhdonte të rridhte gjak gjatë natës dhe kishte vënë jetën e tij në rrezik serioz. Veshka e djathtë ishte e vetmja veshkë që funksiononte pasi e majta ishte kthyer në një organ të padobishëm prej disa kohësh. Gabimi mjekut do t`i kushtojë shqiptarit kurë dialize për të gjithë jetën nëse në muajt në vijim nuk do të gjendet ndonjë dhurues veshke. Nga pardje pasdite B. Meta është kthyer në krevatin e spitalit, në repartin e kujdesit intensiv të Savonës, dhe vetëm në orët e ardhshme do të mësohet ecuria e shëndetit të tij, si dhe rezultatet e hetimit. Gjithsesi mediat italiane shkruajnë se gjithçka tregon për neglizhencë mjekësore. Megjithatë, ai që do të hedhë dritë të plotë do të jetë autoriteti gjyqësor, por edhe departamenti shëndetësor pardje vendosi të hapë një hetim të brendshëm në përpjekje për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Pardje familjarët e shtetasit shqiptar janë paraqitur në mjediset e komandës provinciale të policisë në Ricci për të ngritur një padi në të cilën përmblidhen të gjitha faktet dhe sidomos gabimet e pretenduara që janë bërë nga mjekët kirurgë në ndërhyrjen e së mërkurës, të cilës familjari i tyre i ishte nënshtruar. Mediat thanë se 45-vjeçari u operua ditën e mërkurë dhe sipas dëshmive nga ekipi i mjekëve heqja e veshkës ka rezultuar e domosdoshme gjatë operacionit. Mediat italiane e konsiderojnë rastin si një kalbje të sistemit shëndetësor në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›