E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në Korçë, studiot e televizionit publik me dekor kishtar

24/10/2011  Televizioni publik i Korçës diskriminues i komuniteteve fetare, në kundërshtim me ligjin

KORÇE- Gjatë viteve të fundit çudirat më të mëdha po ndodhin në qytetin e Korçës. Sikur të mos mjaftonin deklaratat e konsullit grek në këtë qytet Theodhoros Ikonomu apo edhe ato të organizatës OMONIA, së fundi edhe Televizioni Publik Shqiptar, studioja e tij rajonale në qarkun Korçës ka ndërmarrë një veprimtari diskriminuese ndaj besimeve fetare. Në emisionin më të rëndësishëm të televizionit publik të Korçës, pikërisht në atë të lajmeve, nën siglën “Intervista jonë”, ku intervistohen, zakonisht, njerëz të pushtetit, në gjithë sfondin e studios shfaqet katedralja e këtij qyteti “Ngjallja e Krishtit”. Kjo pamje ka filluar të shfaqet herë pas here, duke u përpjekur që në heshtje të përhapë mesazhin diskriminues: “Në këtë qytet jetojnë vetëm ortodoksë dhe askush tjetër”, kur në të vërtetë, në qytetin e Korçës jetojnë po aq të krishterë, (përfshi këtu edhe katolikët), sa edhe myslimanë, e megjithatë edhe drejtuesit e pushtetit vendor që japin intervista në këtë studio, apo edhe zyrtarë të tjerë, heshtin sikur të mos kenë parë asgjë, sikur askush prej tyre të mos e dijë që një veprimtari e tillë është e ndaluar me ligj dhe mbi të gjitha që sjell përçarje, ngjall urrejtjen mes palëve, ndez konflikte që nuk do t’i dëshironim kurrë. Atëherë, cilët janë autorët e kësaj sipërmarrjeje, madje të frikshme?

Qëllimi i RTSH-së

Cili është qëllimi i Radiotelevizionit Publik Shqiptar? Nuk është e vështirë ta themi këtë gjë, sepse e gjejmë krejtësisht të përcaktuar në nenin 66 të Ligjit “Për radiotelevizionin publik dhe privat”, por që fatmirësisht ky nen i drejtohet posaçërisht Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Ja, çfarë thuhet në këtë nen: “Si një transmetues i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit të shërbimit publik kombëtar, RTSH-ja realizon shërbime cilësore radioje dhe televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë dhe pakicat kombëtare”. Madje jo vetëm kaq: më tej, po në këtë nen, thuhet: “RTSH-ja zotohet për një mbulim të paanshëm të lajmeve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare. RTSH-ja realizon programe, të cilat duhet të pasqyrojnë te dëgjuesit dhe shikuesit e të gjitha moshave larminë e jetës shqiptare. RTSH-ja përgatit programe cilësore e me vlera për pasurimin e botës mendore dhe shpirtërore të njerëzve”. Gjithçka e shkruar duket e bukur, por në këtë rast, ku qëndron “përkushtimi ndaj idealeve më të larta të transmetimit”; ku gjen zbatim shprehja: “duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë”, ku mishërohet “paanshmëria”?!. Këtë e di vetëm Televizioni Publik Shqiptar, studioja e tij në Korçë.

Absurditeti

Megjithatë, mbetet e vështirë të kuptohen arsyet e vërteta, përse stafi drejtues i televizionit publik në qarkun e Korçës përpiqet të favorizojë një prej besimeve dhe të diskriminojë komunitetet e tjera fetare dhe për më keq akoma të sjellë përçarje mes dy besimeve më të mëdha të vendit. Në nenin 5 të ligjit për mediat thuhet shprehimisht: “Punësimi, ngritja në detyrë, si dhe të drejtat dhe detyrat e punonjësve të radiove dhe televizioneve publike dhe private nuk përcaktohen nga seksi, origjina, pikëpamjet politike, besimi fetar apo anëtarësia në sindikata”. Pra, sipas ligjit, punonjësit e televizionit të Korçës nuk janë përzgjedhur për arsye të pikëpamjeve fetare, as nga kisha dhe as nga xhamia, atëherë, përse, befas, rreshtohen hapur si racistë kundrejt besimeve të tjera? Kjo do të thotë se në televizionin e Korçës dominojnë punonjësit e besimit ortodoks, gjë që përbën edhe një diskriminim tjetër për njerëzit e besimit mysliman. Ashtu siç po ndodh shpesh, edhe ditën e shtunë, në këtë studio me sfond fetar u intervistua një nga drejtueset e Qendrës Paliative në Korçë.

Përmbyllja

Në nenin 36 mes të tjerash thuhet: “Programet radiotelevizive publike dhe private respektojnë dinjitetin… diversitetin fetar shqiptar”. Neni 38: “Në radio dhe televizion nuk lejohet të jepen programe që nxisin dhunën, urrejtjen kombëtare, fetare e raciale, veprime antikushtetuese, ndarjen territoriale, diskriminimin për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë fetare”. Neni 41: “Lajmet dhe informacionet, që transmetohen nga operatorët radiotelevizivë në edicionet informative, i paraqesin faktet dhe ngjarjet në mënyrë të drejtë e të paanshme, nxisin formimin e lirë të mendimeve dhe nuk i shërbejnë në mënyrë të njëanshme interesave të asnjë partie apo organizate politike, grupimi ekonomik dhe komuniteti a shoqate fetare. Nenin 55: “Nuk lejohet të transmetohen në radio dhe televizion: reklamat që ushtrojnë ndikim në përmbajtjen e programeve; reklamat e tërthorta; reklamat fetare ose ateiste”. Por kjo që po bën televizioni i Korçës, a nuk bie në kundërshtim të hapur me ligjin? Sigurisht, përgjigjen e jep krejtësisht të qartë sërish ligji. Le të presim e të shohim, nëse ligji do të gjejë zbatim apo do të lejojë nxitjen e urrejtjes ndërfetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›