E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Ekspertët gënjyen gjykatën, videoja s’është prekur

SHKRUAN: Habjon Hasani 01-11-2011 12:26

Protagonisti i regjistrimit të videos, Dritan Prifti kërkon ekspertizë ndërkombëtare për video-përgjimin. “Disa pjesë nga zëri nuk dëgjohen pastër, por pjesët e korrupsionit shqiptarët i dëgjuan me zërin e Ilir Metës”

Protagonisti i përgjimit të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta ka hedhur dje dyshime mbi tre ekspertët shqiptarë, që dorëzuan raportin e tyre. Në një konferencë për shtyp, Dritan Prifti tha se ekspertët vetëm sa kanë hedhur firmën në raportin përfundimtar që kanë dorëzuar, pasi sipas tij, ata nuk kanë pasur asnjë njohuri dhe asnjë kapacitet teknik për të realizuar një raport të tillë. “Këta tre ekspertë u ankuan në gjykatë se nuk kishin aparaturën e nevojshme për klonimin e videos nga laptopi i sekuestruar në një hard-disk. Interesohuni edhe vetë dhe unë po ju them se një aparaturë e tillë kushton vetëm 300 euro, dhe këta ekspertë as këtë nuk kishin”, - tha dje Prifti, duke u shprehur më tej se ekspertët kanë gënjyer gjykatën. Prifti nga ana tjetër është shprehur dje se konkluzionet zyrtare të raportit janë tërësisht të pavërteta, duke kërkuar një hetim nga struktura të sprovuara ndërkombëtare që kanë njohjet dhe kompetencën e nevojshme për të bërë një ekspertim profesional të videos. Raporti i ekspertëve ka evidentuar prezencën e një programi të quajtur “Crazytalk Animator” në laptopin e Priftit, program ky që mundëson miksimin dhe tjetërsimin e zërit dhe pamjeve. Nga ana tjetër, raporti i ekspertëve është shprehur se për sa kohë që nuk është rikuperuar dhe gjetur videoja e origjinës, pra videoja në memorien e orës-regjistruese, çdo video e eksportuar në laptop mund të jetë objekt i një manipulimi nga njerëz që kanë aparaturat dhe njohuritë për të realizuar tjetërsimin pa lënë gjurmë. Sipas ekspertëve, vetëm analizimi i ekstraktit origjinal mund të zbulonte katërcipërisht nëse kishte pasur ose jo ndërhyrje në video, por ekstrakti origjinal nuk ekziston. Dritan Prifti u është përgjigjur këtyre konkluzioneve dje në mënyrë të prerë. “Ai program që përmendni se është gjetur në laptopin tim, nga emri duket sikur është program për fëmijë. Unë s’e di fare çfarë është ai program. Videoja e orës është format “Avi” dhe në laptop, videoja është gjithashtu format “Avi”, por ka edhe elemente të tjerë që mund të bazohesh”, - ka thënë dje Dritan Prifti. Më tej ai është shprehur se mbante përgjegjësi të plotë për vërtetësinë dhe mosprekjen e videos, duke kërkuar një ekspertim nga institucione kompetente ndërkombëtare të materialit të videos. “Këta ekspertë thonë që ka mundësi ndërhyrjeje në video apo se zëri nuk dëgjohet mirë…..etj. Unë deklaroj se në këtë video nuk ka asnjë ndërhyrje, as në figurë dhe as në zë. Disa pjesë nga zëri nuk dëgjohen pastër, por pjesët e korrupsionit shqiptarët i dëgjuan me zërin e Ilir Metës dhe mund t’i dëgjojnë sërish. Ilir Meta, disa ditë pas publikimit të videos, ngaqë shquhet për mençuri, doli publikisht, pranoi që ka qenë në zyrën time, ka bërë ato biseda dhe sqaroi se çfarë ishte 7%, 700.000 euro apo punësimet që kërkonte. Shqiptarët kanë memorie dhe i mbajnë mend të gjitha”, - tha dje ndër të tjera Prifti. Ai shtoi se gjykata duhet t’i kërkojë një ose disa vendeve të Bashkimit Europian të bëjnë këtë ekspertizë me policinë e tyre shtetërore dhe shkencore. “Me aktin e tyre të ekspertimit, ekspertët nga paaftësia apo inkriminimi gënjejnë hapur gjykatën dhe publikun shqiptar. Me këtë akt ekspertimi, ekspertët shtrembërojnë drejtësinë dhe kryejnë një krim të dënueshëm nga Kodi Penal i Shqipërisë. Nëse kjo ekspertizë e pavarur, shkencore dhe nga një shtet i BE-së, nxjerr që videoja është e prekur dhe jo origjinale, unë jap dorëheqjen nga çdo funksion politik e publik, dhe i dorëzohem drejtësisë”, - deklaroi dje Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›