Ekspertizë e dytë për vdekjen e Matildës

Pas përcaktimit të shkakut të vdekjes nga hemorragjia, prokuroria ka nevojë për një raport të dytë nga mjeko-ligjorët, lidhur me trajtimin mjekësor në spital të 17-vjeçares që vdiq pas operacionit në bajame
TIRANË - Ekspertiza mjeko-ligjore që arriti në përfundimin se 17-vjeçarja Matilda Petriti humbi jetën nga hemorragjia, nuk është provë e mjaftueshme për të vënë nën akuzë mjekun që e operoi nga bajamet në Pogradec dhe ata që ndoqën rastin në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Konkluzioni vjen nga grupi hetimor i çështjes, i cili ditën e djeshme mori në dorë ekspertizën mjeko-ligjore. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se raporti përfundimtar i nxjerrë nga ekspertët mjeko-ligjorë, hedh dritë vetëm mbi shkakun përfundimtar që solli vdekjen e 17-vjeçares, pa mundur të përcaktojë nëse kjo vdekje ka ardhur si pasojë e një mjekimi të pakujdesshëm nga ana e bluzave të bardha. Përballë një situate të tillë, prokuroria e cila po heton çështjen me objekt akuzën “mjekim i pakujdesshëm”, urdhëroi kryerjen e një ekspertize të dytë, mbi gjithë hapat dhe trajtimin mjekësor që i është bërë 17-vjeçares që nga klinika private në Pogradec, deri në Tiranë. Një proces i tillë sipas prokurorisë, pritet të fillojë nga dita e sotme dhe të realizohet nga një grup ekspertësh të Mjekësisë Ligjore. Grupi hetimor i cili do të asistojë të bërjen e ekspertizës së dytë, ka vënë në dispozicion kartelat mjekësore të sekuestruara menjëherë pas vdekjes së 17-vjeçares korçare. Procesi pritet të realizohet duke u nisur nga diagnoza fillestare që mjekët kanë konstatuar ndaj Matilda Petritit dhe trajtimin mjekësor që i është nënshtruar deri në momentin e vdekjes. Fillimisht, mjekët do të krahasojnë kartelën mjekësore me procesin real që duhet të kryhet në raste operacioni në bajame, ilaçet me të cilët është mjekuar, mënyrën e ndërhyrjes kirurgjikale që mjeku Xhevahir Hoxhallari ka kryer në bajamet e së ndjerës, trajtimin e mëpasshëm mjekësor, shkakun e hemorragjisë dhe mjekimin që ka marrë në QSUT. Të gjitha këto etapa që do të realizohen nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore, do të krahasohen me veprimet reale kryera prej mjekëve, të cilët janë pasqyruar në kartelën mjekësore. Kjo fazë sipas prokurorisë, pritet që sqarojë përfundimisht pozicionin e bluzave të bardha, të cilët deri tani kanë dhënë shpjegime në pozicionin e personit që ka dijeni për ngjarjen. Nëse ekspertiza e dytë do të nxjerrë se shkak i hemorragjisë që i solli vdekjen Matilda Petritit ka qenë një veprim i pakujdesshëm i mjekut, atëherë prokuroria do të ngrejë zyrtarisht akuzën “mjekim i pakujdesshëm” ndaj mjekut Xhevahir Hoxhallarit, që kreu dhe ndërhyrjen kirurgjikale. Por nga akuza nuk përjashtohen as mjekët e Tiranës, nëse nga ekspertiza rezulton se shkak i hemorragjisë është bërë trajtimi mjekësor jo i mjaftueshëm që i është bërë 17-vjeçares në QSUT. Matilda Petriti ndërroi jetë më 27 prill në QSUT, pasi ishte transferuar nga një klinikë private e qytetit të Pogradecit, ku i ishte nënshtruar një operacioni në qafë (bajame). Vajza ndërroi jetë si pasojë e hemorragjisë nga çarja e njërës prej arterieve në zonën e bajameve, pikërisht aty ku mjeku Hoxhallari kishte kryer operacionin.