E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si i shpëtoi Sefgjini shkarkimit

Mungesa e një dokumenti zyrtar nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku të provohej se Arben Sefgjini ishte drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave, la në detyrë kryetatimorin e akuzuar në dosjen Remzi Hoxha

TIRANË - Arben Sefgjini mund të ishte pezulluar nga detyra, nëse Prokuroria e krimeve të Rënda do të siguronte një vërtetim zyrtar, që të provonte se i akuzuari për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, është drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Por mungesa e këtij vërtetimi që mund të sigurohet vetëm në rrugë zyrtare, i dha “krahë” Gjykatës për Krime të Rënda që të rrëzojë kërkesën për pezullim nga detyra të Sefgjinit dhe të vendosë bllokimin e pasaportës dhe masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në fakt, mungesa e këtij vërtetimi nga ana tjetër, bëri që vendimi i gjykatës për masën e sigurisë ndaj Arben Sefgjinit të shtyhet për tri ditë me radhe, pasi materialet e prokurorisë nuk bindën gjykatën, e cila për çdo kërkesë kërkonte dokumente shtesë. Pasi u bind për masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe bllokimin e pasaportës së Sefgjinit, gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullimin nga detyra të kreut të Tatimeve. Një vendim i tillë sipas burimeve të gazetës, u mor, pasi prokuroria nuk kishte mundur të siguronte një vërtetim zyrtar për detyrën shtetërore të Sefgjinit. Duke zbatuar me korrektësi dhe rigorozitet ligjin, Gjykata për Krime të Rënda vendosi të rrëzojë kërkesën e bërë nga organi i akuzës për pezullim nga detyra të kryetatimorit, duke mos ndërmarrë asnjë hap tjetër në këtë drejtim. Por çudia e mospezullimit të Sefgjinit nga gjykata përsëritet pesë ditë pas shpalljes së vendimit, kur vetë drejtori i Tatimeve në seancën e verifikimit të masës së sigurisë deklaroi se mbante detyrën e lartë shtetërore, të cilën që prej 10 ditësh po e ushtron nga banesa e tij. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se në kërkesën përfundimtare që Krimet e Rënda i drejtuan gjykatës lidhur me masat e sigurisë për tre nga katër të akuzuarit për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit, ndër të tjera u kërkua edhe pezullimi nga detyra i Arben Sefgjinit. Kjo kërkesë parashikohet edhe në Kodin e Procedurës Penale, ku thuhet se prokuroria mund të kërkojë pezullimin nga detyra të një personi që ushtron funksione publike, kur ai akuzohet për një vepër penale, ku minimalisht dënohet me një vit heqje lirie. Në rastin e katër ish-shikasve, veprat penale të cilat u atribuohen, dënohen minimalisht me 10 vjet heqje lirie. Por edhe pse e sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale, një masë e tillë nuk u mor për kreun e Tatimeve, pasi prokuroria nuk gjeti bashkëpunim nga institucionet shtetërore, për të siguruar në rrugë zyrtare vërtetimin e punës së  kryetatimorit Sefgjini. Aktualisht Arben Sefgjini drejton një nga institucionet më të rëndësishme në vend nga banesa e tij pranë Fushës së Aviacionit, në kryeqytet. Kjo për shkak të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, të cilën nuk duhet ta shkelë, pasi është paralajmëruar se në rast moszbatimi të kësaj mase, prokuroria do të kërkojë arrestimin e tij dhe masën e sigurisë “arrest me burg”.

Neni 240

Llojet e masave ndaluese

1. Masat ndaluese janë:

a) pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik;

b) ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste.

Neni 241

Kushtet e zbatimit të masave ndaluese

1. Masat ndaluese mund të zbatohen vetëm kur procedohet për vepra penale, për të cilat ligji cakton dënim me burgim më të lartë në maksimum se një vit.

Neni 242 

Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik

1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›