E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do bashkohen PS dhe PSD

Shkrihen në një parti, kandidatë të përbashkët në raport me zgjedhjet e fundit, përfaqësim në forume në raportin 5 me 1

Bashkimi mes PS-së e PSD-së tashmë nuk vihet në diskutim. Grupi i punës ka mëse 3 muaj që është ngritur nga ana e partisë më të madhe opozitare, por ndërsa është PS-ja ajo që e ka fjalën, socialdemokratët e kanë paraqitur propozimin e tyre. Për herë të parë “Korrieri” publikon përmbajtjen e 6 faqeve të projekt-platformës për realizimin e bashkimit PS-PSD, që kjo forcë politike i ka dorëzuar PS-së. Projekti në fjalë, që në fund përfundon me shkrirjen e dy partive dhe krijimin e një subjekti të ri politik, ka përfunduar që më shkurt të 2008-ës, ndërsa ende nuk ka mbërritur përgjigjja nga PS-ja. Projekt-platforma përcakton vullnetin e të dyja partive për të krijuar bashkimin politik PS-PSD, si një subjekt i ri politik, që siç përcaktohet në dokument, do të finalizohet me fuzionin e dy partive në një parti të vetme, përfaqësuese e së Majtës Evropiane e Botërore në vend.

Synimet

Të dyja partitë kanë të njëjtin synim afatgjatë: integrimin e vendit në NATO, përmes një qeverisjeje që bazohet në programin e së Majtës Evropiane. Falë bashkimit synohet të realizohet rikonfigurimi i politikës shqiptare, duke krijuar dy kampe të qarta konkurruese përfaqësuese të së majtës e së djathtës, që siç vlerëson PSD-ja, është tipar i çdo demokracie të konsoliduar. Synohet po ashtu krijimi i dy alternativave të qarta programore, që do të jenë promotore të konkurrencës e rotacionit politik. Po ashtu, kërkohet të vendoset një moral të ri në politikë, përmes krijimit të grupimeve të qëndrueshme bazuar mbi vlera, programe e qëllimeve të përbashkëta, që respektojnë e realizojnë kontratën me zgjedhësit, duke u dhënë fund lëvizjeve negative të partive apo deputetëve, siç ka ndodhur shpesh. Bashkimi konceptohet si domosdoshmëri për një qeverisje efektive për të majtën e më gjerë, dhe ndaljes së luftës politike brenda llojit si qëllim në vetvete.

Faza e parë

Bashkimi pritet të realizohet në dy faza. Në të parën përfshihet miratimi i këtij akti nga forumet qendrore të të dyja partive. Ajo që vihet re është fakti se, që në fazën e parë do të ketë një grup të përbashkët parlamentar, që do të funksionojë për përgatitjen e seancave, marrjen e vendimeve dhe organizimin e debatit në Kuvend. Do të hartohet një program i përbashkët, bazuar në programet përkatëse të të dyja partive e atë të Partisë Socialiste Evropiane. Në fazën e parë po ashtu, parashikohet krijimi i institucioneve drejtuese e koordinuese të bashkimit, kryesisht me karakter konsultativ, siç do të ishte krijimi i një komiteti koordinativ i përbërë nga kryetarët, zëvendëskryetarët e sekretarët. Institucionet drejtuese koordinuese do të krijohen edhe në nivel lokal. Gjithashtu do të ketë një ristrukturim të partive për të përshtatur strukturat përkatëse lokale, për të lehtësuar bashkimin final mes tyre. Pas fazës së parë vjen finalja, që parashikohet të fillojë që përpara zgjedhjeve elektorale të 2009-ës.

Faza e dytë

Në fazën e dytë, de fakto të dyja partitë do të sillen si një subjekt zgjedhor në raport me të tretët. Do të kenë kandidatë të përbashkët të përcaktuar në raport me rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Po në këtë fazë parashikohet edhe hartimi i programit të përbashkët elektoral e qeverisës, në të gjithë sektorët. Konventa zgjedhore do të jetë e përbashkët, ku do të shpaloset dhe miratohet programi i përbashkët, listat e kandidatët e bashkimit dhe taktika zgjedhore. Në konventë do të paraqitet edhe akti përfundimtar i bashkimit të të dyja partive në një subjekt të vetëm, bazuar në një platformë fuzioni. Në këtë platformë do të përcaktohen kriteret dhe mënyrat e realizimit, duke u bazuar në dy kritere kryesore për mënyrën e shkrirjes së postit të kryetarëve në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese që PS-ja ruan në pozicionet e saja, dhe çdo post individual kalon si rregull një nivel më poshtë në strukturën e bashkuar PS-PSD. Forumet e përbashkëta do të krijohen nga shkrirja e forumeve përkatëse në raportin 5 me 1. Ende PS-ja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me propozimin, që tashmë i është dorëzuar prej muajsh nga PSD-ja, por ndër të tjera, bie në sy përcaktimi numrit të deputetëve që kërkon PS-ja, bazuar në rezultatet e fundit zgjedhore. Aktualisht socialdemokratët, bazuar në zgjedhjet e 2005-ës, kanë 7 deputetë. saqellari@korrieri.com

 
Brenda dy fazave

-Fuzion i dy partive

-Grup parlamentar i përbashkët

-Listë me kandidatë të përbashkët

-Raporti i deputetëve bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit

-Program të përbashkët politik, zgjedhor dhe qeverisës

-Konventë e përbashkët zgjedhore

-Taktikë e përbashkët elektorale

-Forumet e përbashkëta në raport 5 PS-1 PSD


Gjinushi: Duhet bashkim real

Skënder Gjinushi vlerësoi dje, se e majta ka si domosdoshmëri bashkimin real. Sipas tij, PSD-ja është forca e vetme që ka qenë konsekuente si faktor i bashkimit të së majtës. “Nëse të tjerët bashkimin e kanë parë sipas konjukturave, PSD-ja e ka parë në interes të fitores të së majtës dhe jo thjesht në interes të PSD-së. Ne dëshirojmë që të triumfojë kjo linjë e PSD-së, pra për një bashkim real parazgjedhor, një bashkim në favor edhe të partive përkatëse, por edhe në favor të alternativës më të mirë dhe jo bashkime konjukturale, jo përdorim i çdo momenti apo çdo shkaku për t’u ndarë”, - tha dje kreu i PSD-së. Aktualisht, socialdemokratët dhe socialistët janë në fazën e nisjes së bashkimit mes tyre, ku grupi i punës në PS është duke shqyrtuar propozimin e PSD-së dhe përzgjedhjen e formës më të përshtatshme sesi mund të funksionojë ky bashkim. Në krahun tjetër, lidhur me mospjesëmarrjen në protestën e organizuar nga LSI-ja kundër ndryshimeve kushtetuese, Gjinushi e argumentoi se PSD-ja ka format e veta për të shprehur pajtimin ose mospajtimin për ndryshimet kushtetuese. Lidhur me pajtimin e PSD-së, për organizimin ose jo të referendumit, kreu i PSD-së sqaroi se në një vend demokratik nuk pyetjet je apo jo për referendum, por çfarë qëndrimi do të mbash kur hidhet çështja në referendum, je “pro” apo “kundër” çështjes së hedhur në referendum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›