FMN numëron problemet

Fondi Monetar Ndërkombëtar numëroi një sërë mospajtimesh me politikat e qeverisë së kryeministrit Sali Berisha pas dy javësh qëndrimi në Shqipëri dhe pas përfundimit të analizës për gjendjen ekonomiko-financiare të vendit. Mospajtimet u shënuan me politikat e rritjes së pagave e pensioneve, tejkalimin e vazhdueshëm të kostos së rrugës Durrës-Kukës, problemet e thella në KESH, pronat dhe inflacionin.
Fondi Monetar Ndërkombëtar u pa qartë se nuk ishte dakord pas raundit të bisedimeve dyjavore në Tiranë, mbi politikat e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve, pasi ato do të rrisnin më tej inflacionin. Zyrtarët e FMN-së deklaruan se kjo situatë krijon hapësirë vetëm për kompensimin e energjisë dhe rritjes së çmimeve për personat në asistencë, pensionistët dhe buxhetorët që kanë paga të ulëta. Sërish ndërkombëtarët i kujtuan qeverisë, se situata financiare e KESH-it është kritike dhe zgjidhja e vetme është reduktimi i vjedhjeve dhe i humbjeve në rrjet, të cilat në shifra janë të barabarta me gjysmën e shpenzimeve për shëndetësinë. Përveç korporatës, rrezik për buxhetin mbetet edhe tejkalimi i kostos për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, situatë kjo e cila kërkon mbajtjen e rezervave në buxhet. Kurse klima ku vepron biznesi ka nevojë për përmirësim, pasi ka ende probleme me pronësinë dhe zbatimin e ligjeve. Janë këto përfundimet e dhëna nga shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, në përfundim të konsultimeve me institucionet shtetërore të rishikimit të marrëveshjes PRGF-EFF. Sipas Bell, inflacioni në Shqipëri parashikohet të mbahet në 4 për qind në vitin 2008, ku për këtë arsye është shumë e rëndësishme të evitohen presionet e brendshme ndaj kërkesës. Në mënyrë të veçantë, ndërsa ndihma ndaj të varfërve për të kompensuar efektet e çmimeve të rritura të ushqimeve dhe të energjisë është e drejtë, rritjet reale të rrogave në sektorin publik duhet të kufizohen fort, për të shmangur nxitjen e një spiraleje “paga-inflacion”.
Problemi me pronat po largon investitorët
Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi qeverinë për mjedisin e biznesit, duke kërkuar përmirësime për të tërhequr investitorët e huaj. Sipas Bell, problemet mbetet pronësia dhe sistemi gjyqësor, kurse tek prokurimet nuk është problemi tek cilësia e ligjit, por tek mënyra e zbatimit të tij. “Përparimi ekonomik i shpejtë mund të vazhdojë, në rast se disa probleme të rrënjosura thellë adresohen me vendosmëri. Në mënyrë të veçantë, sektori i energjisë elektrike që operon me humbje, përbën një rrezik të madh për buxhetin dhe ul potencialin e rritjes ekonomike, ndërsa në vija më të përgjithshme, mjedisi i biznesit kërkon përmirësime për të tërhequr investimet cilësore që nevojiten”, u shpreh Bell, duke shtuar se të drejtat e pronësisë, zbatimi i kontratave, qeverisja dhe sistemi gjyqësor mbeten dobësitë kryesore në vend. Shqetësim tjetër i FMN-së mbetet edhe niveli i lartë i borxheve, ku në këtë mënyrë deficiti buxhetor nga mesi i vitit 2008 do të jetë 5.2 për qind, nga 7.9 për qind që ishte parashikuar në fillim të vitit. Rritja e bollshme e të ardhurave duhet përdorur për të konsoliduar financat publike dhe për të mbajtur deficitin e buxhetit në 5.2 për qind të PBB-së, ku po ashtu të shkurtohen shpenzimet për institucione që kanë realizim të ulët”, nënvizoi shefi i misionit të FMN-së, Bell. Në përfundim të programit me FMN-në, buxheti duhet të ankorohet fort dhe të ulë borxhin në raport me PBB-në, të rrisë besueshmërinë dhe transparencën. Kjo çështje bëhet edhe më urgjente në një kohë kur Shqipëria do të fillojë të marrë hua në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Ne i inkurajojmë autoritetet të miratojnë një rregull formal fiskal, qoftë i bazuar në shpenzimet, qoftë në deficit, ku më e mira do të ishte duke filluar që nga buxheti i vitit 2009. Përforcimi i kapaciteteve në menaxhimin e borxhit është gjithashtu i domosdoshëm.