E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv butikut sportiv te ish-Blloku

TIRANE – Një sasi e vogël eksplozivi ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një dyqan veshjesh sportive që ndodhet në rrugën “Sami Frashri”, në kryqëzimin mes zonës së ish-Bllokut dhe shkollës 9-vjeçare “Edit Durham” në kryeqytet. Shpërthimi ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm dhe shkaktoi vetëm disa dëme materiale, kryesisht në fasadën e xhamit të dyqanit, që sipas Policisë së Tiranës, dyshohet të jetë dhe objektivi i shpërthimit. Pronari i dyqanit, Leonard G., në Polici ka deklaruar se nuk kanë pasur probleme apo konflikte që mund të shkaktonin një ngjarje të tillë. Ndërsa gjatë një prononcimi të shkurtër i dëmtuari na tha se ka konstatuar që i mungojnë disa veshje sportive, gjë që sipas tij, e bën të dyshojë se shpërthimi mund të jetë kryer me qëllim për të grabitur dyqanin. Nga ana tjetër, Policia tha dje se po hetohet edhe për këtë version, por nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë konflikti personal që mund të ketë pasur pronari i dyqanit. Burimet thanë se ka nisur një hetim për ndonjë kanosje të mundshme ndaj pronarit, por edhe për ndonjë tentative të mundshme për vjedhje. Sipas Policisë, sasia e lëndës eksplozive të përdorur ishte e vogël, rreth 10-20 gram tritol dhe e aktivizuar me ndezës mekanik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›