Eksploziv banesës së kreut të PD-së në Shkodër

Banesës së kreut të PD-së në Shkodër, Astrit Bushati, i është vendosur lëndë shpërthyese dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, ndërkohë që fatmirësisht lënda plasëse, e vendosur në katin e parë të banesës në rikonstruksion, ka shkaktuar vetëm dëme materiale, pasi nuk jetonte njeri për shkak të punimeve që vijonin në të.
Bushati ka bërë denoncimin në polici, e cila ka nisur hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve. Ende nuk dihen shkaqet e incidentit, ndërkohë që pistat kryesore të hetimit janë fushata elektorale e 23 qershorit si dhe posti që mban Astrit Bushati si kreu i PD-së në Shkodër, njëherësh ish-deputet.
Si njofton BW, ky është incidenti i dytë që ndodh brenda harkut të dy ditëve, pasi u raportua se në Postribë kreut të Komunës, i cili i përket PD-së, i është vënë lëndë plasëse në automjetin e tij./Indeksonline/