Eksploziv makinës së Ilir Dajës
Makina e Ilir Dajës, ish-trajnerit të ekipit të futbollit Dinamo, shpërtheu pas mesnatës të së dielës duke gdhirë dita e djeshme, si pasojë e vendosjes së një sasie eksplozivi.Ngjarja ndodhi në rrugën Filip Shiroka, pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit në Tiranë, vetëm 30 minuta pasi Ilir Daja kishte parkuar mjetin tip Benz 190, me targë TR 0964 H, pranë pallatit ku banon. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr.2, si dhe oficerë të krimeve të rënda dhe ekspertë antieksploziv. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se sasia e eksplozivit, që sipas ekspertëve është tritol, është hedhur sipër kofanos së makinës dhe, nga shpërthimi, është shkaktuar një gropë me diametër rreth 10 centimetra. Kjo, sipas ekspertëve tregon se sasia e lëndës eksplozive ka qenë rreth 40-50 gramë dhe autori i dyshuar i ngjarjes mund të konsiderohet amator, pasi nuk është munduar ta fiksojë tritolin në makinë, por e ka hedhur sipër saj dhe ka ikur. Gjithashtu në vendin e ngjarjes u gjet edhe një copë fitil, që, sipas Policisë, shpjegon mekanizmin se si është aktivizuar lënda plasëse. Grupi i hetimit shoqëroi për të dhënë deklarime në polici disa persona, mes të cilëve edhe roja i bllokut të pallateve dhe pronari i mjetit të dëmtuar, ish-trajneri i Dinamos, Ilir Daja. Policia tha se dëshmitarët nuk dhanë ndihmë për grupin hetimor, i cili ende nuk ka ndonjë person të dyshuar për ngjarjen. Ndërsa vetë i dëmtuari Daja ka shpjeguar në Polici se nuk ka asnjë konflikt të hapur që mund të sjellë një shpërthim apo një paralajmërim të tillë me eksploziv, duke hedhur dyshime për një ngatërresë në objektiv nga ana e autorëve.
HETIMET
Pavarësisht se Ilir Daja, në makinën e të cilit u vendos sasia e eksplozivit, ka tentuar tia faturojë ndonjë personi tjetër shpërthimin, duke pretenduar se gjithçka mund të jetë një ngatërresë, policia ka nisur hetimet për zbulimin e autorëve. Paraprakisht janë ngritur pistat e para të hetimit lidhur me ngjarjen, duke verifikuar veprimtarinë e deri para disa muajve si trajner i Dinamos dhe jetën personale të Ilir Dajës. Sipas burimeve nga Policia, po verifikohet çdo deklaratë që ai ka dhënë në fillim të muajit shkurt të këtij viti, kur u shkarkua nga funksioni i trajnerit të ekipit të futbollit. Nga verifikimet, ka rezultuar se Daja ka pasur disa mosmarrëveshje me drejtues të tjerë të ekipit, në lidhje me pagesën dhe mënyrën se si u shkarkua. Lidhur me këtë pistë hetimore, Policisë i mbetet të verifikojë nëse Daja ka shantazhuar për shkarkimin e tij dhe, për këtë arsye, i është dhënë një paralajmërim, për shkak të shpërthimit që ndodhi në makinën e tij. Ky është drejtimi që kanë marrë hetimet, duke mos përjashtuar këtu edhe ndonjë inskenim të mundshëm të vendosjes së eksplozivit nga ish-trajneri. Ndër të tjera, Policia po heton edhe jetën e tij personale, nëse mund të ketë pasur ndonjë konflikt jashtë detyrës që ka pasur deri katër muaj më parë.
Reagon Ilir Daja
Nuk jam i bindur nëse ka qenë makina ime shënjestra, pasi me të njëjtën shkallë dëmtimi janë shkatërruar edhe dy makina të tjera veç times të cilat kanë qenë pranë saj. Sipas meje mund të jetë edhe ngatërresë. Nuk kam probleme apo konflikte me asnjë person dhe nuk di se çfarë emri ti vë gjithë kësaj. Ishte një befasi dhe kjo që ndodhi erdhi si një rrufe në qiell të hapur për mua. Çdo gjë çfarë kisha për të thënë i kam deklaruar në Polici dhe nuk e di as vetë se për çfarë ka ndodhur e gjithë kjo.
Grupi hetimor
Ndryshe nga ajo çfarë ka deklaruar ish-trajneri i Dinamos, Ilir Daja, oficerët e grupit hetimor nuk kanë asnjë dyshim që shënjestra e autorëve ka qenë pikërisht mjeti Benz 190 me targë TR 0964 H, në pronësi të Dajës. Dy makinat e tjera, sipas Policisë, kanë vetëm gërvishtje të vogla që janë shkaktuar nga ciflat e shpërndara pas shpërthimit. Ndërsa vatra e shpërthimit të tritolit, si dhe fitili që është ndezur duke aktivizuar shpërthimin, ndodheshin në makinën e Ilir Dajës.
ETLEVA DELIA