E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, gjendet i djegur në makinë 35-vjeçari

TIRANE – Një person është gjetur i vdekur dje në mbrëmje në automjetin e tij, në zonën e Baldushkut, në periferi të Tiranës. Policia tha vonë pas mesnate, se viktima e ngjarjes është identifikuar të jetë shtetasi Edmond Dibra, 35 vjeç. Ai është gjetur pa jetë në makinën e tij tip “Golf II” me targa të Tiranës. Policia është sinjalizuar për ngjarjen në orën 23:30 dhe menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Nga verifikimet paraprake, sipas policisë, automjeti ka pësuar djegie të pjesshme, ndërkohë që personi që është gjetur në makinë, veç djegieve, dyshohet se ka gjetur vdekjen nga asfiksia e shkaktuar nga tymi. Pas këqyrjes që policia ka bërë në vendin e ngjarjes ka rezultuar se automjeti ka qenë në një vendqëndrim në anë të rrugës, dhe jo në një parkim të mirëfilltë. Grupi hetimor ka shoqëruar mbrëmë në polici një numër personash banorë të zonës, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me viktimën e krimit, nëse ai është banor i zonës, apo nëse kanë njohje me të. Deri vonë pas mesnate, Policia e kryeqytetit nuk ka pasur një version të qartë në lidhje me ngjarjen. Pistat që po hetohen kanë të bëjnë me një ngjarje aksidentale, ose me një vrasje të qëllimshme. Automjeti i djegur është transportuar mbrëmë me mjetet e policisë në drejtim të Tiranës, ku ditën e sotme do t’i nënshtrohet edhe një këqyrjeje së hollësishme. Hetuesit në vendin e ngjarjes kanë marrë mostrat e nevojshme për lëndë djegëse dhe eksploziv. Ndërkohë, sipas policisë, ende nuk është e qartë kur ka ndodhur djegia e makinës. Viktima është dërguar në morg për ekzaminimet e nevojshme shkencore në lidhje me shkakun e vdekjes. Mbrëmë, zyrtarët e Policisë nuk konfirmonin nëse 35-vjeçari Edmond Dibra ka pasur konflikte apo precedentë të mëparshëm penalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›