E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv mbikëqyrësit të lojërave të fatit në Tiranë

Makina e një punonjësi të Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Loj-ërave të Fatit ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme nga vendosja e një sasie eksplozivi.Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në afërsi të lagjes së njohur si Kodra e Diellit, në Tiranë. Eksplozivi, sipas policisë, është vendosur në makinë pranë zonës ku banon Ilir Çuli. Në momentin e shpërthimin mbikëqyrësi i lojërave të fatit nuk ndodhej në makinë, pasi ishte duke pirë kafe në një lokal pranë vendit të ngjarjes. Sapo ka dëgjuar shpërthimin dhe ka parë se objektivi ishte pikërisht makina tip “Audi A3″ në pronësi të tij, ka lajmëruar në sallën operative të Policisë së Tiranës. Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes duke kryer këqyrjen dhe veprimet e para hetimore. Nga verifikimi i provave dhe dëmeve që kishte pësuar makina, ka rezultuar se eksplozivi është vendosur mbi gomën e parë të mjetit, në krahun e shoferit. Policia pohoi se nga shpërthimi është dëmtuar pjesërisht kofano dhe goma e makinës, që sipas policisë tregon se sasia e eksplozivit mund të ketë qenë jo më shumë se 50 gramë tritol. Ngjarja po hetohet nga oficerët e Komisariatit Nr. 1, nën juridiksionin e të cilit është vendi i ngjarjes. Duke parë se ngjarja nuk kishte pasoja të rënda, oficerët e Antiterrorit, pas nisjes drejt vendngjarjes, morën një urdhër të dytë për t’u kthyer mbrapsht, duke mos iu dhënë akses në hetimin e ngjarjes.
HETIMI
Grupi hetimor i policisë së Tiranës ka ngritur pistat e para që kanë të bëjnë me detyrën e pronarit të mjetit, Ilir Çuli, por edhe me probleme të mundshme që ai mund të ketë, nisur nga pozicioni i tij në Drejtorinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Drejtoria ku është i punësuar Çuli është në varësi të Ministrisë së Financave dhe pozicioni i tij lidhet pikërisht me supervizimin dhe mbikëqyrjen e lokaleve të lojërave të fatit, kryesisht të kazinove të mëdha. Sipas burimeve nga policia, edhe vendosja e eksplozivit në makinën e tij dyshohet të ketë lidhje me ndonjë pakënaqësi që mund të ketë pasur ndonjë prej administratorëve të kazinove të Tiranës, që kontrollohen nga Ilir Çuli. Ndërsa vetë i dëmtuari, gjatë deklarimeve të tij, nuk ka dhënë ndonjë version të mundshëm për ngjarjen, duke pretenduar se nuk ka probleme dhe konflikte me asnjë person. Ai gjithçka ia ka lënë detyrës që kryen dhe ndonjë pakënaqësie që personat, të cilët administrojnë lokalet e lojërave të fatit, mund të kenë nga kontrollet e vazhdueshme që ai kryen, por pa dhënë asnjë emër konkret. Ndërsa sipas policisë, vendosja e një sasie të tillë eksplozivi dhe në momentin kur Çuli nuk ndodhej në makinë, nuk ka pasur si qëllim dëmtimin e tij, por thjesht një paralajmërim në formën e një mesazhi, që edhe në këtë rast lidhet me lokalet e lojërave të fatit.

Etleva Delia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›