Vladimir Meçi rizgjidhet avokat nga Aldo Bare
Vladimir Meçi i rikthehet sërish mbrojtjes së Aldo Bares, i ekstraduar pak ditë më parë nga Interpoli dhe i akuzuar për rreth 20 krime, vrasje për hakmarrje, trafiqe droge, armësh dhe tenderash. Dy ditë më parë, përmes një prokure të firmosur nga familjarët e të etiketuari kapobanda e Lushnjes, avokati Meçi autorizohet të mbrojë Baren në procesin që vijon në janar të vitit të ardhshëm. Për këtë arsye, po ditën e marrjes së autorizimit, avokati Meçi i është drejtuar ambienteve të paraburgimit 313-të ku mbahet i izoluar dhe i survejuar nga një staf i veçantë klienti i tij. Por, ndonëse ka ndenjur përreth një orë brenda oborrit të këtij burgu, drejtoria nuk e ka lejuar ta takojë Baren, pasi ishin ditë pushimi dhe në këto ditë nuk mund të ketë takime midis avokatëve dhe klientëve të tyre. Sot pritet që avokati Meçi, i cili është njëkohësisht edhe mbrojtës i interesave të krahut të djathtë të Bares, Enver Dondollakut, të shkojë sërish në paraburgimin 313-të, ku qëndron Aldo Bare, për të pasur një takim me të, duke qenë i autorizuar ligjërisht tashmë për mbrojtjen e tij.
Gjyqi
Në javët e para të janarit pritet që Aldo Bare të përballet për herë të parë me trupin gjykues që është duke e gjykuar. Ndonëse dosja e tij ka disa muaj që ndodhet në zyrën e gjyqtares kryesuese, Fatmira Hajdari, ky proces nuk ka filluar ende për shkak të mosmarrjes së një përgjigjeje nga i pandehuri përmes letër-porosisë së dërguar në Turqi. Ka qenë pikërisht vendimi i Gjykatës së Lartë turke që mundësoi sjelljen në Shqipëri të të shumëkërkuarit Bare, si dhe përballjen e tij me drejtësinë shqiptare për një mal me akuza. Gjyqi zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, por të gjithë anëtarët e trupës gjyqësore që do gjykojnë Aldo Baren janë gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës. Shkak është konsumimi i gjithë gjyqtarëve të Krimeve të Rënda nga “Banda e Lushnjes”, e gjykuar në dy pjesë, si dhe masat e arrestit të caktuara nga këta gjyqtarë. Vetë i pandehuri i akuzuar për vrasje, tortura, rrëmbime, trafiqe dhe krijim e drejtim të organizatës kriminale, ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në gjyqin ndaj tij dhe atje do të flasë për akuzat.
Ekstradimi
Pas dhjetë vitesh arrati është ekstraduar në Shqipëri Aldo Bare, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, i akuzuar për krijim të organizatave kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, e kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e një prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilin policia po bashkëpunon me partnerët perëndimorë në zbardhjen e veprimtarisë së tij. Më 25 mars të tre viteve më parë Bare u ndalua në Ankara, ku fshihej nën një identitet të rremë, i njohur si një shqiptar nga Maqedonia, me emrin Mikel Kodra. Ndjekja e të fejuarës së tij prej disa kohësh nga policia çoi në rënien në gjurmët e të shumëkërkuarit Aldo Bare, i njohur ndryshe si Mikel Kodra. Për Policinë e Shtetit, arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares, ose Alfred Shkurtit përbën një sukses të padiskutueshëm, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat fals Mikel Kodra e Artur Sallabanda. Sipas policisë, ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do ndikojë pozitivisht për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale.
Akuzat
- Krijim të organizatës kriminale dhe kryerje të rreth 20 vrasjeve
- Rrëmbim personi
- Shkatërrim prone
- Dhunim varresh
- Kryerje të veprave të tjera penale, në bashkëpunim nga organizata kriminale
Aldo Bare (Alfred Shkurti) dhe organizata e tij kriminale akuzohen:
- Për vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës.
- Për vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas, Xhevat Demiri.
- Për vrasjen për shkaqe të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta.
- Për vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës.
- Për vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klenti Bano.
- Për vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli.
- Për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut.
- Për vendosjen në mars 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë.
- Për vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala.
- Për vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau, si dhe disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim: për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti, për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
- Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilat po bashkëpunohet me partnerët perëndimorë.