Eksploziv varrit 120-vjeçar
MALESI E MADHE/ RITVAN DIBRA
Shpërthimi i eksplozivit te një varr 120-vjeçar, duke dëmtuar një kryq 2 m të lartë mbi të, ka rikthyer edhe një herë fenomenin e harruar prej vitesh, atë të dëmtimit të simboleve fetare.Ka qenë ora rreth 23:30 e së dielës, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu në një kodër, në hyrje të fshatit Kokëpapaj të komunës Gruemirë, në Malësi të Madhe, aty ku ndodhet një varrezë e vjetër e zonës. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Malësisë së Madhe mësohet se lënda plasëse është vendosur pranë një varri të vjetër, rreth 120-vjeçar, i cili i përkiste shtetasit Kolë Palushi, banor i zonës. Për pasojë ka pësuar dëmtime një kryq rreth 2 metra i lartë, i cili ndodhej pranë varrit. Deri tani policia, nga ana e saj nuk jep asnjë informacion mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje apo dhe motivet që mund të kenë çuar autorët për të ndërmarrë një veprim të tillë. Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në fshatin Kokëpapaj, policia ka ngritur një grup pune, i cili po heton me intensitet për zbardhjen e saj. Gjer tani dy janë pistat e mundshme që po hetohen nga ky grup hetimor. Nga grupi hetimor mësohet se çështja mund të lidhet me ndonjë motiv pronësie ose e kryer nga ndonjë person me probleme mendore. Gjithsesi, e vetmja që dihet është se akuza e ngritur është ajo e “dhunimit të varreve”. Në lidhje me këtë ngjarje vetë banorët e zonës janë shprehur të irrituar. Sipas tyre, një veprim i tillë mund të jetë bërë nga persona që kërkojnë të krijojnë përçarje fetare mes vetë banorëve. Për një veprim të tillë të papërgjegjshëm ata i kërkojnë organeve të drejtësisë që sa më shpejt të mund ta zbardhin ngjarjen dhe të arrestojnë autorët e këtij veprimi, sa të ulët njerëzor e aq të rrezikshëm. Gjithsesi ata shprehen të sigurt se veprime të tilla, përveç shqetësimit të shpërthimit të lëndës plasëse të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, nuk mund të kenë asnjë ndikim tjetër në marrëdhëniet mes dy komuniteteve fetare, atij mysliman dhe katolik të zonës. Brenda 3 viteve të fundit, ky është rasti i 3 kur sulmohen objekte fetar dhe vende të konsideruara të shenjta, siç janë varret. Megjithatë, policia ka nisur vetëm hetimin për dhunimin e varrit, jo për dëmtimin e simboleve fetare.
Precedentët
Më 10 janar 2006, persona të paidentifikuar sharruan një kryq të lartë 6 metër, ngritur në majën e një kodre në lagjen Rranza të komunës së Bushatit.
Më 25 shkurt 2007,
në kodrat e fshatit Plezhë, po të komunës Bushat, përbri rrugës nacionale Shkodër-Lezhë është konstatuar se kryqi që ndodhej në majën e kësaj kodre ishte rrëzuar pas sharrimit.