E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belsh, krijohet gropa 50 m pranë qendrës shëndetësore

 

BELSH - Një gropë karstike me diametër 2 metër dhe me thellësi mbi 50 metra është zbuluar nga banorë të zonës së Belshit. Gropa, e dyta e këtij lloji e krijuar brenda vitit ndodhet në afërsi të Qendrës Shëndetësore. Ajo rezulton se është krijuar gradualisht, por vetëm dy ditë më parë është konstatuar nga banorët. Menjëherë ata kanë lajmëruar specialistët. Sipas gjeologëve, në thellësi të kësaj grope gjendet një sasi e konsiderueshme uji. Formacioni gjeologjik i saj është i tipit gips, i cili në prani të ujërave nëntokësorë tretet duke përbërë kështu një rrezik për banorët e zonës. Në fakt gropa karstike, me përmasa shqetësuese për jetën e banorëve mund të thellohet edhe më shumë, çka mund të sjellë pasoja të rënda, pasi ndodhet në një zonë të shkelur nga banorët. Disa muaj më parë, një tjetër gropë e ngjashme me atë të zbuluar së fundmi u krijua, disa km larg. Pikërisht në zonën e komunës Shalës, e cila ishte në afërsi të ujësjellësit. Për dy muaj me radhë specialistët kanë punuar për ta mbyllur, por në pamundësi vetëm e kanë izoluar. I njëjti veprim pritet të ndërmerret dhe në rastin e fundit, me gropën e hapur në afërsi të Belshit. Ndërkohë, specialistët e mbërritur nga Tirana në lidhje me hapjen e gropës karstike kanë pohuar se zona e Dumresë dallohet nga zonat e tjera karstike, pasi këto fenomene zhvillohen kryesisht në gipse dhe anhidride, si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi. Relievi karstik sipërfaqësor përfaqësohet kryesisht nga gropa, të cilat paraqiten në dy tipe, në formë hinke dhe në formë plateje. Ndërkohë, drejtues të pushtetit lokal në Belsh i kanë kërkuar institucioneve qendrore në Elbasan marrjen e masave për mbylljen e kësaj grope, e cila përbën rrezik për popullatën. Nga ana tjetër drejtuesit e pushtetit lokal në Belsh i druhen faktit se mund të ketë raste të tjera të hapjes së gropave, të cilat mund të ndodhin në ndonjë zonë e mbipopulluar. Mësohet se prefektura po punon për të hartuar një raport mbi gjendjen në zonën e Dumresë.                                  a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›