Ish-drejtori i Gërdecit: S‘kishim asnjë kontroll
Armand Bajrami
Dritan Minxolli, ish-drejtor në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, i akuzuar për “vrasje masive”, tha dje se asnjë institucion shtetëror nuk ishte interesuar ndonjëherë për kushtet në të cilat punohej në Gërdec. Deklarata e një prej katër të arrestuarve për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec u bë në seancën e djeshme të këtij gjykimi, në të parën dalje para gjykatës të Minxollit, që prej nisjes së gjykimit të dosjes “Gërdeci”. Ndonëse nuk ishte paraqitur asnjëherë në gjykatë, Dritan Minxolli kishte zgjedhur të shihej përballë me dëshmitarët e djeshëm, disa prej të cilëve, ish vartës të tij. Sipas Minxollit, asnjë institucion shtetëror nuk kishte shkuar të kontrollonte kushtet e sigurisë në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, që nga ngritja e deri në shkatërrimin e saj në mars të 2008-ës. “Përveç një specialisti dhe një ekonomisti të MEICO-s, asnjë përfaqësues i asnjë institucioni tjetër shtetëror nuk ka ardhur në Gërdec”, deklaroi nga kafazi i sallës së gjyqit i pandehuri Minxolli. Ish-drejtori i “Albademil shpk”, sqaroi para gjykatës se si ishte përfshirë ai në drejtimin e kësaj shoqërie. Sipas tij, ai kishte nënshkruar një kontratë pune mes administratorëve të shoqërisë. “Unë Dritan Minxolli, me funksion ekonomist, kam nënshkruar një kontratë pune me dy administratorët e shoqërisë “Albademil shpk”, me administratorin amerikan Patrik Henry dhe me administratorin shqiptar Mihal Delijorgji. Kjo kontratë më vendoste në cilësi të drejtorit të fabrikës”, u shpreh Minxolli. Në seancën e djeshme, Minxolli pranoi se në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec ishin punësuar njerëz të të gjitha moshave, pa përjashtuar as fëmijët. “Që nga dita e parë e punës, mbi personelin, punonjësit e fabrikës pa dallim të moshës, gjinisë, apo rracës është marrë në punë nga unë personalisht. Gjithçka bëhej pas një interviste të shkurtër nga ana ime dhe vullnetit të plotë të tyre. Në asnjë rast, unë personalisht me gjithë kapacitetin dhe intelektin që kam, nuk kam ndjerë apo parashikuar tragjedinë që do të ndodhte në Gërdec. Firma ku unë isha drejtor ka qenë një firmë private që ushtronte aktivitet të ligjshëm”, tha Minxolli. ar.ba
Nëna e 7-vjeçarit: Djali vdiq nga shpërthimi kur po luante
TIRANE – Sytë e përlotur teksa dëshmonin dje në Gjykatën e Tiranës ishin treguesi më i dallueshëm i dhimbjes së dy prindërve të Erison Durdës, viktimës 7-vjeçare të shpërthimit të Gërdecit. Zamira dhe Feruzan Durda treguan dje se si u ndërtua 400 metra larg banesës së tyre fabrika e demontimit të municioneve, ditën e shpërthimit, ndjesën e kërkuar për “largimin pa leje nga shtëpia” nga djali i tyre ndërsa ishte me 65 për qind të sipërfaqes së trupit të djegur e deri në momentet që ai ndërroi jetë në Brindizi në Itali.
DESHMTE
“Në mars të 2007 filluan punime tek reparti ushtarak. Në fillim na u tha që do ngrihej një stadium, këndë lojërash, etj. Në qershor 2007 u hapën fjalë se kërkoheshin punëtorë për të bërë demontimin e predhave. Nga familja ime shkoi babai Ahmet Azizaj, vëllai Taulanti dhe nusja e vëllait. U kërkohej të bëheshin katër veta në grup, fëmijë, gra, burra, pleq, nuk kishte rëndësi”, tha dje dëshmitarja Zamira Durda. Për ditën e shpërthimit, dëshmitarja tha se “Dëgjuam një zhurmë si fishekzjarrë. Dolëm dhe pamë mbi repart një re të bardhë tymi, që e kishte ndarë fshatin në dy pjesë. Kërkova djalin Erisonin. Ai kishte dalë të luante me biçikletë. Teksa kërkoja në rrugë, takova shokët e tij, të cilët më thanë që ka shkuar me Rogjersin (djali i kunatës), për t’i dërguar bukë të ëmës së tij, pasi kunata ime Rajmonda Durda punonte në fabrikë”. Para gjykatës bashkëshortët Durda pohuan se kishin mësuar se djalin e tyre e kishin dërguar në spitalin Ushtarak në Tiranë e më pas në repartin e djegieve në QSUT. “Përmes mjekëve u njoftuam se ku ndodhet Erisoni dhe vajtëm. Njëri nga mjekët më tha që duhet të bëhesh e fortë, djali është djegur në 65 për qind të trupit. Hyra në reanimacion dhe i thashë ‘Eri, biri i mamit ku je?, ai më tha ‘Më fal mami që ika nga shtëpia’. Qëndrova me të tërë natën. Më thoshte më dhëmbin sytë dhe dua ujë. Të nesërmen me 16 mars e nisën për në Itali”, tregoi mes lotëve dëshmitarja. Ferizan Durda tha dje se fjalët e fundit nga djali i tij i kishte dëgjuar teksa po e transportonin për në aeroportin e Rinasit, ku do ta nisnin më pas për në Itali. “Fjalët e fundit nga im bir i dëgjova kur po udhëtonim drejt Rinasit. ‘Më dhëmb barku, më dhëmb koka’, dëgjova nga djali dhe më pas ai nuk foli më derisa ndërroi jetë”, tha dje dëshmitari Feruzan Durda. ar.ba
“Delijorgji më punësoi mbikëqyrës”
TIRANE – Eksperienca si “artilier” gjatë kohës së shërbimit ushtarak, kishte mjaftuar që Ndue Nikolla, një prej dëshmitarëve të djeshëm, te emërohej “specialist mbikëqyrjeje në procesin e demontimit të predhave” në Gërdec. Ai tha se u punësua pasi takoi Delijorgjin në një lokal ku ishte në tavolinë me mbikëqyrësin e MEICO në Gërdec, Sokol Gjeçi. Nikolla tha se ka qenë vetëm 50 metër larg vatrës së parë të zjarrit, që shkaktoi më pas tragjedinë e Gërdecit. “Ditën e ngjarjes ishim duke u marrë me nxjerrjen e barutit nga predhat. Unë isha rreth 50-60 metra larg, kur pashë një vatër zjarri. Dëgjova edhe disa punëtorë të bërtisnin “zjarr! Zjarr!”. Më parë aty kishte filluar transporti i barutit. Pashë një punëtor që po përpiqej ta fikte zjarrin me një thes. Unë vetëm i ktheva shpinën vendit të zjarrit dhe presioni i flakës më ka shtyrë për disa metra tej”, tha dëshmitari. Nikolla pohoi dje se instruktimin për sigurinë në punë e bënte çdo ditë drejtori i fabrikës Dritan Minxolli. Dëshmitari tha se transportimi i barutit në fabrikë bëhej nëpërmjet karrocash metalike dhe se në rastet kur ato prisheshin dërgoheshin për t’u salduar në Shkozet. ar.ba
“Në Gërdec punova pa kontratë”
TIRANE – Dëshmitari Qemal Mema, ish-specialist mbikëqyrjeje, gjatë procesit të demontimit në fabrikën e Gërdecit, tha dje se në repartin e tij kishte pasur disa herë zjarre të vegjël. Sipas dëshmitarit, për të filluar punë në Gërdec i ishte dashur të takonte drejtorin e fabrikës, Dritan Minxollin. “Kur fillova punën firmosën një letër kopje të së cilës nuk mora, po nuk mbaj mend në ishte kontratë punë apo tjetër gjë”, tha dje dëshmitari. Para gjykatës Mema tha se “në fabrikë punoja në çmontimin e fishekëve 14.5 milimetër”. Sipas dëshmitarit, çmontimi bëhej me anën e një makinerie, ndërsa instruktimet i kishin marrë nga ish-drejtori i fabrikës Minxolli. “Drejtori na kishte thënë që të mos mbanim më shumë se 2-3 kilogramë barut në një kovë, pasi mund të ndizej. Më parë pati pasur raste që kishte marrë flakë, por ato ishin vatra të vogla zjarri dhe i kishim fikur”, tha dëshmitari. Gjithashtu dëshmitari tha se rreth makinerisë që mundësonte ndarjen e predhës së fishekut nga gëzhoja, mbanim një sasi të madhe uji nëpër kova. Po sipas tij, në ambientin e fabrikës kishte edhe fikës zjarri. ar.ba