"Havzi Nela kujtohet vetëm kur ka interesim politika"
"Për Havzi Nelën kujtohen vetëm kur i intereson politikës". E shoqja e poetit të varur në litar, Havzi Nela, reagoi dje pas publikimit të deklaratave të PD-së, në lidhje me firmën që i ati i Edi Ramës hodhi në vendimin për ekzekutimin e desidentit. Lavdie Nela, e cila vetë ka përjetuar vite burg e internime bashkë me të shoqin, tregon se emrin e Kristaq Ramës ajo e ka nxjerrë prej vitesh, por vetëm tani ai po përmendet gjerësisht. "Askush deri sot nuk më ka pyetur për 'zbulimin' më të fundit, për firmën e Kristaq Ra-mës në aktin e varjes së tim shoqi, pavarësisht se e kam përmendur më parë. Por, duket se për Nelën kujtohen vetëm kur u intereson edhe politikanëve edhe medias". Sipas Lavdie Nelës, Edi Rama duhet të largohet nga skena politike në shenjë pendese për firmën e të atit. "Ai nuk duhet të jetë në krye të një partie politike dhe duhet të kërkojë ndje-së për firmën e të atit, por jo të bëhet fajtor për firmën e tij. Ai nuk duhet të ketë përgjegjësi politike dhe të largohet si nga partia dhe nga bashkia e Tiranës", shprehet ajo. Lavdia, që ka vuajtur një jetë të tërë përkrah të shoqit, i cili u ekzekutua në mes të Kukësit në vitin 1988, thotë se askush nuk kujtohet për të dhe madje ajo endet pa punë e pa kafshatën e bukës.
"Nuk kam marrë as vlerësim moral e material për sakrificat e bëra. Të gjithë kujtohen për të kur kanë interesa politike. Sheshi ku është varë Havzi Nela ende nuk ka bustin e tij. Ai nuk është bërë "Nderi i Kombit", madje janë dekoruar xhelatët e tij, sidomos Fehmi Abdiu, Fatmira Laskaj dhe shumë të tjerë që kanë firmosur për ekzekutimin dhe varjen e tij", akuzon Lavdie Nela. Sipas saj, katër vite më parë vetë ajo ka sinjalizuar krerët e sotëm të shtetit dhe politikës dhe i ka vënë në dijeni se Kristaq Rama, duke qenë në detyrë të lartë në Presidiumin e Kuvendit Popullor, kishte firmosur për varjen e Nelës. "Por ata heshtën dhe mirë që janë kujtuar tani", përfundon gruaja.