Eksportet shqiptare, shifër rekord për periudhën 5 mujore, 780 milionë euro
“Made in Albania” pushtojnë tregjet jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë drejt eurozonës; në Spanjë, Austri dhe Gjermani
Eksportet shqiptare vijojnë në trend pozitiv. Në fund të periudhës pesëmujore ato shkuan në 780 milionë euro, pavarësisht ndikimit të krizës ekonomike në eurozonë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, mësohet se për periudhën janar-maj eksportet shqiptare shënuan 82 miliardë lekë, shumë kjo e barabartë me 800 milionë dollarë amerikanë. Ndërkohë që vihet re se roli i Greqisë në tregtinë e jashtme me Shqipërinë ka rënë dukshëm, si në drejtim të eksporteve ashtu edhe importeve. Nga ana tjetër, Spanja bëhet një partner i rëndësishëm tregtar për eksportet shqiptare, të cilat në fund të periudhës pesëmujore kanë arritur gati në 7 miliardë lekë. Kështu të parin treg eksportesh Shqipëria ka Italinë, e dyta vjen Spanja, e treta Kosova, Greqia dhe më pas Turqia. Sipas këtyre shifrave mësohet se harta e eksporteve shqiptare ka ndryshuar dukshëm duke rritur distancat përtej vendeve kufitare dhe duke u zgjeruar dukshëm në rajon, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë. Eksportet kanë pësuar një rritje me 20 për qind në krahasim me majin e vitit që shkoi, ndërsa importet kanë shënuar një ulje 3.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se eksportet në vendet e BE-së dominohen nga mineralet, energjia elektrike dhe fasonet, ndërsa në rajon eksportohen kryesisht prodhime bujqësore e sidomos në Kosovë. Këtë vit vendi pritet të realizojë eksporte më të larta në krahasim me një vit më parë, për shkak të prodhimit të mbarë të energjisë elektrike. Në pesë muajt e 2012, pavarësisht efekteve të krizës ekonomike, vlera e eksporteve ka qenë rreth 6 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ekspertët vendas parashikojnë një ecuri më të mbarë të tyre gjatë periudhës së dytë të vitit. Ndërkohë që për herë të parë këtë vit vlera e mbulimit të importeve me eksporte ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave të fundit. Gjatë muajit prill dhe maj eksportet kanë arritur sa 44 për qind e importeve, ndërkohë që mesatarja e vitit që shkoi ka qenë rreth 35 për qind. Grupi me kontributin kryesor në rritjen e eksporteve gjatë këtij viti është “Minerale, lëndë djegëse, energji”. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 16% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që rezultojnë si grupi me peshën më të lartë dhe përbëjnë 34% të totalit. Grupi “Tekstile dhe këpucë” ka zbritur në vendin e dytë dhe zë 31% të totalit të eksporteve. Gjithashtu, rritja e prodhimit bujqësor nëpërmjet nismave të subvencionit në bujqësi është një mjet tjetër që në periudha afatmesme Shqipëria të konkurrojë, sidomos në rajon, me eksportin e hershëm të prodhimeve bujqësore.
Ndërkohë që eksportet duken në rimëkëmbje, importet vazhdojnë të bien. Për muajin Maj, vlera e importeve ishte 3.3% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por me një rritje me 11,5% krahasuar me muajin prill të këtij viti. Defiçiti tregtar ka shënuar një rritje prej 14.8 përqind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 15.8 përqind krahasuar me Maj 2011.