Propozimet e PS janë humbje kohe, sistemi duhet të garantojë votat

Reforma Zgjedhore, kreu i PAD, Neritan Ceka
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka i quan humbje kohe propozimet e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore, ndërsa kërkon angazhim serioz në përmirësimin e kuadrit zgjedhor. Ceka tha se formula e KQZ-së duhet t’i përgjigjet interesit madhor për zgjedhje me standarde. “Mendoj se të gjitha këto janë humbje kohe. Në asnjë vend të botës nuk ka që, anëtarët e partisë politike të jenë numërues, dakord, janë vëzhgues. Palët duhet të kenë të qartë se si do të jetë struktura e KQZ-së, politik ose jo” - u shpreh Ceka.
Ai iu referua gjithashtu se partitë e mëdha duhet të shqyrtojnë kërkesat e partive të vogla sa i takon korrektimit të sistemit. “Në tryezën e partive u rreshtuan të gjitha forcat e vogla, të të dy krahëve politikë. Ajo që kërkohet është korrektimi i sistemit. Duhet të vendoset një standard kombëtar që, partitë që fitojnë një numër të caktuar, në raport me numrin e përgjithshëm, p.sh nga 140 deputetë, 20 mandate të lihen të lira për partitë e vogla. Në të kundërt ne po shkojmë drejt një sistemi partiak. Nuk ka asnjë parti që të shkojë të hyjë në zgjedhje si bishti i një partie të vogël”- tha kreu i PAD, Neritan Ceka.