Fatmir Mediu: Të përsosim standardet zgjedhore

PR kritikon dy partitë e mëdha për zvarritjen e reformës zgjedhore
Pas 7 muajsh që punohet për të ndryshuar Kodin Elektoral, për kreun e republikanëve zgjedhjet e lira janë ende larg. Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu shprehet se partitë e mëdha po e zvarrisin miratimin e ligjit të ri të zgjedhjeve, në varësi të përmbushjes së interesave personale të momentit. “Këto janë afatet që ata u kanë dhënë njëri-tjetrit jo për reformën zgjedhore, por për elementë të ndryshëm që kanë të bëjnë me interesa specifike të partive përkatëse. Në mënyrën se si ato e konceptojnë reformën, në interesin e tyre politik partiak, mendoj që jemi shumë larg thelbit për të pasur zgjedhje të lira e të drejta në Shqipëri”, deklaron Mediu.
Si anëtar i komisionit të Reformës Zgjedhore, ai shprehet, se, nëse nuk bëhet korrektimi kombëtar i sistemit, sipas kërkesës së 36 partive të vogla e të mëdha, vota sërish do të deformohet. “Deklarata e tyre, qëndrimet e tyre kanë qenë shpesh “pro”, por për veprimet konkrete në komisionin e Reformës Zgjedhore kanë qenë të kundërta. Të shohim në takimin tjetër të reformës, kush do të jetë qëndrimi konkret i palëve. Nëse nuk do të vlerësohen me seriozitetin e duhur kërkesat e partive politike, ne do të kemi një reformë elektorale të deformuar, e cila do të çojë në zgjedhje të deformuara e problematike”, shprehet Mediu.
Pas rimandatimit 3 javor, komisioni i Reformës Zgjedhore duhet që deri në 12 korrik të çojë për votim në seancë kodin së bashku me tre kapitujt e mbetur të tij.
PS ka dorëzuar në komision variantin e saj për KQZ-në, teknologjinë në zgjedhje dhe ankimin. Në mungesë të një përgjigje nga mazhoranca, lideri i opozitës, Edi Rama, ka shtuar se nuk do të votojë reformën zgjedhore pa ndryshuar KQZ-në.
Pikërisht, për t’i dhënë një dorë politikës së Tiranës, do të vijnë në Tiranë ekspertët e Komisionit të Venecias.