Zgjedhjet 2013/PS, e kapur nga sindroma e humbjes - pas dënimit të komisionerëve, kërkon masa të tjera ekstreme
Identifikimi i imtësishëm i listave të zgjedhësve, lëvizjet demografike dhe një skaner i qartë i qendrave të votimit është puna që strukturat e selisë rozë kanë nisur për zgjedhjet e 2013. Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, jep detaje të masave që opozita do të ndërmarrë për atë që quhet, ruajtja e votës. Sipas tij, Kodi Zgjedhor po shkon drejt miratimit të një varianti që nuk do të mund të shterojë një sërë problematikash të vëna re në zgjedhjet e shkuara, për këtë shkak, strukturat e selisë rozë do të bëjnë vetë policimin e listave të zgjedhësve, për të shmangur votat fiktive. “Çdo qelizë e strukturës së partisë Socialiste do duhet vënë në lëvizje pasi vazhdojmë të jetojmë në një situatë elektorale, ku kemi të paqarta kufijtë elektoralë, përbërjen elektorale të çdo njësie, listat e votuesve. Prandaj do të kërkojmë nga të gjitha strukturat e partisë që jo vetëm të punohet me elementët që do të merren me fushatë, por një pjesë e madhe e gjithë punës së strukturave partiake duhet të shkojë për gjërat që shteti duhet ti kishte zgjidhur”, deklaron Klosi.
Duke akuzuar mazhorancën dhe institucionet se ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në dëm të opozitës në dy garat e fundit elektorale, me të cilat vendi është përballur, Klosi thotë, se, PS ka vetëm një mënyrë që në 2013 të fitojë dhe të garantojë fitoren e saj.
“Atë çfarë në duhet të bëjmë, menaxhimin e një numri shumë të madh votash, që mos të ketë KQZ apo Ristan t’i hedhë poshtë”- shprehet Sekretari Organizativ i PS-së.
Klosi nuk jep detaje për zgjedhjet në një sërë organizatash socialiste që ende nuk kanë përfunduar, por që nuk kanë kaluar pa diskutime e debate brenda selisë rozë.
“PS vazhdon të jetë forca e vetme politike në vend që ka zgjedhje, forume, diskutime për to dhe kjo është vlera më e madhe e kësaj partie. A e keni pyetur ndonjëherë partinë Demokratike që në 7 vjet në pushtet a ka bërë ndonjëherë zgjedhje? Ndërkohë që drejtuesit e saj më të lartë janë të pamandatuar dhe vazhdojnë të jenë drejtues”, shprehet Klosi. Përveç organizimit të strukturave, shpjegimi i programit të socialistëve mbetet një tjetër rrugë që Klosi thotë që PS do të aplikojë deri në zgjedhjet e ardhshme për t’u treguar shqiptarëve, përse socialistët do të qeverisin më mirë.