Një kombinim cilësish
Kryeministri Berisha bëri dje publike përbërjen e qeverisë së re, duke ruajtur surpriza për qytetarët shqiptarë dhe në të njëjtën kohë, duke u njësuar në jo pak raste edhe me pritshmërinë e tyre, e shprehur kjo kryesisht në mediat e shkruara. E ndërtuar në kushtet e një mazhorance të limituar, Berishës i është dashur që të kompozojë një qeveri që përfshin të gjitha qoshet e një formacioni politik, duke lënë në rend të dytë ruajtjen e raporteve të tjera, që kanë të bëjnë me gjeografinë, besimin, situatën sociale dhe shkollimin, pa u rënë këtyre të fundit shumë në qafë. Po ashtu, siç edhe është shprehur vetë Berisha, ka pasur vështirësi në hartimin e këtij kabineti për shkak se qeverisja e mëparshme ka qenë e suksesshme. Çdo ndryshim mbi trupin e qeverisë së mëparshme ngjan në një farë kuptimi i padrejtë, i panevojshëm, por gjithsesi i pashmangshëm.
Është jashtë mendjes të thuhet se kjo qeveri që u publikua mbrëmë të mos jetë produkt i debateve dhe konsultimeve të forta brenda lidershipit të PD-së. Kjo është e lexueshme në ndonjë rast edhe në përbërjen e saj. Debati mbi qeverinë vetëm shton cilësinë e saj dhe mbështetjen për të, ashtu siç kuptohet qartë se tashmë PD ka të gatshme jo pak menaxherë të politikës, ekonomisë dhe pushtetit, përmes të cilëve mund të sigurohet një qeverisje tjetër katërvjeçare e një cilësie të lartë.
Futja në koalicion me LSI-në ka çuar në disa raste edhe në zhvendosje paralele ministrash, por me pak vëmendje mund të konkludohet se nuk është thjesht një zhvendosje mekanike, por edhe një transferim cilësie dhe kualiteti nga një dikaster në një tjetër.
Dy janë ngjarjet më mediatike të mbrëmshme në vargun e emrave të ministrave që përbëjnë kabinetin qeveritar, të rinjtë që u futën për herë të parë në një qeveri “Berisha” dhe ata që u larguan prej saj. Myqerem Tafaj, Arben Imami, Ferdinand Xhaferri, Spiro Ksera janë katër prej emrave që zënë postet e ministrave, përkatësisht të Arsimit, Mbrojtjes, Turizmit dhe Punës. Secili prej tyre ndodhet përpara një prove të fortë, ndërsa ofrojnë personalitete teknike dhe politike me mjaft kolor.
Myqerem Tafaj është teknicien dhe personalitet në fushën e arsimit, një prapavijë e mirë në rrethin e ngushtë të Berishës përgjatë implementimit të reformave në arsim katër vitet e fundit.
Arben Imami, me një përvojë të gjatë politike dhe po ashtu menaxheriale, do të drejtojë një institucion, i cili është pikëlidhje mes Shqipërisë dhe NATO-s. Imamit i mbetet të demonstrojë dhe të konsumojë tashmë një dashuri të re “zyrtare” për ushtrinë dhe politikat integruese të Shqipërisë përmes rritjes së cilësisë së ushtrisë drejt standardeve të NATO-s në të gjithë indikatorët. Po ashtu, atij i bie, por së dyti, të jetë në një qeveri me Ilir Metën si shkak i “kontabilitetit politik”, që është shumë më interesant sesa ai bilanceve financiare.
Ferdinand Xhaferri, një prodhim i polemikës politike, sidomos vitet e fundit, i duhet të verifikojë të njëjtat vlera edhe në drejtimin e një ministrie që është një ndër fokuset kryesore të qeverisë shqiptare. Ndërsa Spiro Ksera, një prodhim i llogarive politike të drejta e të dyanshme, si nga Ksera ashtu edhe nga PD, përfaqëson kësaj radhe pa PBDNJ, minoritetin grek në qeveri.
Ndërkaq të larguarit Enkelejd Alibeaj, Jemin Gjana, Gazmend Oketa, Fatos Beja përbëjnë një grup tjetër fort të ngjashme me ata që tashmë u konfirmuan në qeveri. Alibeaj, një i ri që përveç përvojës profesionale tashmë ka shtuar në dosjen e vet edhe një përvojë të fortë politike dhe menaxhimi, mbetet një ndër figurat me perspektivë në PD. Me siguri që do të ketë angazhime të forta në Kuvend. Ndërkaq Gjana, Oketa, Beja janë ministra që lënë vendin pa asnjë vërejtje në detyrat e tyre, përkundrazi duke qenë ndërkaq një vlerë e shtuar brenda aftësive dhe kapaciteteve qeverisëse të PD-së.
Bashkë me ekipin e propozuar nga LSI, qeveria “Berisha 2” pritet të jetë një ekip, i cili do të përballojë me sukses jo vetëm skemën politike që solli këtë qeverisje, por të gjitha sfidat e tjera që lidhen me integrimin e vendit dhe prosperitetin e qytetarëve.