E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita fotografike “Kosovarja” – Prezantohet në Korçë rrëfimi i grave të viteve ’90 në objektivin e Afrim Hajrullahut

Fotografi Afrim Hajrullahu prezantoi në Korçë koleksionin e tij të ri “Kosovarja”, një cikël veprash që rikthen në fokus historinë e Kosovës përmes figurës së gruas.

Projekti përfshin fotografi të realizuara gjatë viteve ’90, ku dokumentohet roli i grave kosovare në periudhat më të vështira të vendit, si dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe forcës së tyre.

“Jam shumë i lumtur që e prezantoj këtë punë para publikut të Korçës. Kjo është punë shumë vjeçare e përmbledhur shumë shkurt por besoj se ka dhënë një emocion të veçantë”, u shpreh Hajrullahu.

Seria e fotografive paraqet një rrëfim të fuqishëm vizual, duke e shndërruar artin në mjet për ruajtjen e kujtesës historike dhe për të përçuar mesazhe të rëndësishme për brezat e ardhshëm.

“E veçanta e këtij projekti është se Afrimi shikon pas perdes, i ri sjellë dhe i kujton”, tha Skënder Boshtrakaj, kurator i Ekspozitës.

Ekspozita është pritur me vlerësime pozitive nga publiku që theksoi ndjeshmërinë dhe peshën emocionale të çdo fotografie.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›