E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, si do ti kalojnë pushimet jetimët

Mes vështirësive dhe dëshirës për të pushuar në Golem. Fëmijët e “Zyber Hallullit” do të bëjnë 2 muaj plazh

Pushimet verore janë kthyer tashmë në një traditë edhe për shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”. Për çdo vit me radhë ata i kanë kaluar pushimet verore në bregdet.

Në pamundësi për t’i shijuar pushimet në shoqërinë e prindërve të tyre, për shkak se i kanë braktisur që të vegjël, apo edhe për arsye të tjera, jetimët do t’i kalojnë ditët e nxehta të korrikut dhe gushtit në plazhin e Golemit, në Durrës.

Edhe pse mund të duket e çuditshme, kur dëgjojmë për “planin e punës”, konkluzioni në të cilin dalim është që fëmijët e “Zyber Hallullit”, edhe pse të shumtë në numër, janë më të organizuar edhe se dy fëmijë që mund të jenë pjesëtarë të një familje...

Pushimet

“Më datë 1 korrik ne kemi vendosur t’i dërgojmë fëmijët në plazhin e Golemit në Durrës. Pas një sërë bisedimesh me kryetarët e komunave në Golem, kemi rënë dakord që të bashkëpunojmë për t’u siguruar të gjithë fëmijëve pushime argëtuese, për dy muaj me radhë. Gjatë kësaj kohe ata do të qëndrojnë në konviktin e një shkolle profesionale”, tha drejtoresha e kësaj qendre, Drita Mandreja. Sipas saj, fëmijët e “Zyber Hallullit” e meritojnë të pushojnë njësoj si të gjithë ne.

Për këtë arsye është planifikuar dhe këmbëngulur që të paktën sezoni i pushimeve të mos u mungojë.

Nëse gjatë viteve të kaluara ata kanë pushuar për 15-30 ditë, këtë sezon, drejtoresha ka këmbëngulur që fëmijët jetimë të kenë në dispozicion plot dy muaj për t’u argëtuar, për të marrë rreze, apo edhe për të pushuar. “Të qëndrosh me 37 fëmijë dhe t’i monitorosh ata gjatë 24 orëve është punë e vështirë, por edhe me përgjegjësi. Për këtë arsye kemi vendosur që në plazh të transferohet i gjithë stafi i shtëpisë “Zyber Hallulli”.

Mësues kujdestarë, por edhe personel mbështetës e teknik, kuzhinierë, punonjës socialë, edukatorë dhe mjekë do të kalojnë pushimet të gjithë bashkë.

Shpenzimet dhe vështirësitë

Sipas drejtoreshës, buxheti i përcaktuar për shpenzimet e këtyre pushimeve do të jetë po i njëjtë me atë që shpenzojnë gjatë qëndrimit në Tiranë. Kjo do të thotë që nuk do të ketë fond shtesë, por do të shfrytëzohen po ato para që do të përdoreshin nëse do të qëndronin në kryeqytet. E megjithatë drejtoresha ka pohuar se është një zë i veçantë, i cili kontribuon me një shumë modeste, në ndihmë të fëmijëve. Ai është fondacioni “Shpresë për botën” dhe synon ndihmën e shtresave në nevojë, por sidomos të fëmijëve jetimë. “Kjo padyshim që është mbështetje shumë e madhe, sepse na ndihmon sidomos për blerjen e lëngjeve apo pijeve freskuese, të cilat janë më se të domosdoshme gjatë ditëve të nxehta të verës. Por kjo shumë do të shfrytëzohet edhe për transportin, pra për marrjen e disa furgonëve me qira, pasi konvikti ku do të qëndrojnë fëmijët ndodhet larg plazhit”, tha Mandreja. Sipas saj, mjete të tilla janë shumë të domosdoshme, pasi e ndihmon personelin t’i ketë fëmijët nën kontroll dhe të mbrojtur për të mos ndodhur incidente.

“Duke iu referuar edhe përvojës së shkuar kemi preferuar që këtë vit aktivitetet që do të organizohen gjatë ditëve të pushimeve të jenë nga më të shumtat”, tha drejtoresha.

Aktivitetet në plazh

Orët e mëngjesit fëmijët do t’i kalojnë në plazh, ndërsa në drekë, pasi të ushqehen, do të flenë disa orë gjumë, në mënyrë që të ruhen edhe nga rrezet e rrezikshme të diellit gjatë orëve 12.00-16.00. Pasditja do t’u rezervojë surpriza dhe argëtim nëpërmjet lojërave të ndryshme. Për të mos rënë në monotoni, stafi i kësaj qendre ka përzgjedhur që aktivitetet të përgatiten ditë pas dite, jo në bazë të një programi statik. Kjo do të bëhet e mundur me mbështetjen e punonjësve socialë të shtëpisë “Zyber Hallulli”. Sipas drejtoreshës Mandreja, gjithçka do të jetë e planifikuar me shumë kujdes, në mënyrë që çdo ditë të jetë më e bukur sesa tjetra.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›