Autizmi, në fazë diskutimi një strategji kombëtare
Për herë të parë në vendin tonë do të ketë një strategji kombëtare për autizmin. Hartimi i strategjisë kombëtare për autizmin, do të diskutohet në muajt në vijim nga grupi i posaçëm, që është ngritur me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ky projekt do të ketë si qëllim evidentimin e problemeve të fëmijëve që vuajnë nga autizmi, por edhe krijimi i një baze të dhënash, që aktualisht është inekzistent.
Kjo ka të bëjë me përcaktimin e numrit real të këtij kontingjenti të sëmurësh në vendin tonë. "Më në fund do të kemi një shërbim në nivel kombëtar dhe do të krijojmë mundësinë për ta realizuar këtë shërbim në Tiranë. Kjo do të mundësohet nëpërmjet një qendre, e cila ka vënë në lëvizje të gjithë procesin, por edhe shërbimin gjithmonë e më pranë banesave të qytetarëve kudo që ndodhen”, tha Vasili. Sipas tij, të gjithë aktorët në proces duhet të ndihmojnë që pesha e familjeve të lehtësohet disi. Sipas kreut të Shëndetësisë, rezultatet e para të kësaj pune do të prezantohen në stinën e vjeshtës.
#