Gjykata e Apelit i heq PS-së kreun e Këshillit Bashkiak
Gjykata e Apelit Vlorë nuk ka pranuar ankimimin e ish-kryetarit të këshillit Bashkiak të Patosit, Maksim Goga, për pavlefshmërinë e shkarkimit të tij nga ky post. Objekt i padisë së ngritur nga Goga, disa muaj më parë, ka qenë institucioni i Prefektit të Fierit me motivacionin se mbështeste një këshill jolegjitim. Sipas Maksim Gogës, Prefektura e Fierit e ka miratuar pa të drejtë mazhorancën e re të krijuar në këtë këshill, si dhe vendosjen e një tjetër kryetar këshilli dalë nga kjo mazhorancë. Një gjë e tillë e kryer pa praninë e kreut aktual të këshillit bashkiak, Maksim Gogës, dhe këshilltarëve të majtë që braktisën sallën në kohën kur është kërkuar votëbesimi për Gogën, e ka quajtur “jo të ligjshëm këtë vendim, si dhe të gjithë këshillin ai nuk e njeh deri sa të shprehet drejtësia”. Kujtojmë se pas një sërë konfliktesh dhe mbledhjesh të dështuara të Këshillit Bashkiak të Patosit, për shkak të daljes së një tjetër mazhorance (PD–LSI), u pa e nevojshme që duhej ndryshuar dhe udhëheqja e këshillit bashkiak, që deri në atë kohë mbahej prej PS-së. Një gjë e tillë shkaktoi shumë tensione, të cilat edhe sot janë ende prezente dhe mbajnë të bllokuar madje dhe buxhetin e kësaj bashkie.
#