Ekspozitë n’Hamam
Ditë më parë në hamamin e qytetit të Prizrenit, nga një grup i te rinjve “Shih botën përmes syve të mi”, është organizuar një event me fotografi, e cila si synim kishte promovimin e kulturës shqiptare. Në organizim të Centre for Common Ground, këta të rinj janë trajnuar për fotografi artistike dhe çdo pjesë atraktive të qytetit të Prizrenit e kanë fotografuar nën mbikëqyrjen e profesorit të arteve Hasan Thaçi. Në muret e vjetra të hamamit të qytetit të Prizrenit ishin vendosur fotografi të ndryshme, të cilat ishin të ndriçuara me një mjeshtri që krijonte sipër një atmosferë të këndshme. Në anën tjetër nga hapësirat e hamamit dëgjoheshin tinguj të bukur me piano nga një grup i nacionalitetit rom, që e bënin këtë event edhe më atraktiv. Hapësirat e hamamit u vizituan nga moshat e ndryshme si dhe ata që e mbështeten këtë ekspozitë.
Projekti është financuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë dhe ka zgjatur 18 muaj. Projekti është duke u përqendruar në krijimin e unitetit të të kuptuarit dhe zhvillimin e aftësive praktike për të nxitur pjesëmarrjen demokratike të të rinjve të Kosovës. Pas përfundimit të trajnimeve, u mbajtën garat në qytete të ndryshme të Kosovës dhe janë zgjedhur dhjetë fitues që janë financuar me grante nga 2.500 euro.
Që nga viti 1994, Centre for Common Ground (CCG), i njohur më parë si Search for Common Ground, ka punuar për forcimin e marrëdhënieve ndëretnike, zgjidhjen e konflikteve, për të parandaluar dhunën dhe për të promovuar pajtimin në Ballkanin Perëndimor. CCG ka projektuar dhe zbatuar programe multietnike në sektorët e medieve, arsimit, artit dhe kulturës, të ngjashëm me këtë organizim.
Në vitin 2010 CCG filloi me implementimin e projektit të quajtur “Rinia e Kosovës për demokraci dhe ndërtim të paqes” për të rinjtë e moshës prej 15-22 vjeç.