E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë Kupën e dytë

Prishtina dhe Besa do të ballafaqohen të dielën në kryeqytet, në finalen e Kupës së Kosovës. Të dy rivalët e moçëm këtë trofe e kanë fituar vetëm nga një herë në periudhën e pasluftës. Mirëpo, sikurse prishtinasit, ashtu edhe pejanët besojnë se do t’ia dalin të stolisen me këtë trofe. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 05 qershor 2011 në ora 11:40

Të dielën, në stadiumin e kryeqytetit do të zhvillohet, ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Besës.

Kjo ndeshje pritet të jetë mjaftë interesante, sepse për këtë trofe do të ballafaqohen dy rivalët e moçëm - kampioni i pesëfishtë në Kosovën e pasluftës, Prishtina dhe kampioni i trefishtë, Besa.

Kryeqytetasit thuajse e kanë humbur hapin në luftë për titull të kampionit, afër të cilit trofe gjendet Hysi, fakt ky që po kontestohet fuqishëm nga prishtinasit.

Andaj, bardhekaltrit do të mundohen që me çdo kusht ta mposhtin ekipin pejan dhe ta fitojnë Kupën e Kosovës sa për të mos mbetur duarthatë në këtë edicion.

“Jemi pak të zhgënjyer me këto rrethana dhe këto ngjarje që po ndodhin kohëve të fundit në futbollin tonë. Megjithatë, para ndeshjes finale të Kupës, në ekipin tonë është një atmosferë e shkëlqyeshme. Do ta kemi vështirë përballë Besës, të cilën e respektojmë shumë, pasi ka lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Besoj se në këtë ndeshje, ekipi im do ta japë maksimumin dhe të stolisemi me një kupë, e që besoj se e meritojmë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.

Mirëpo, skuadra e kryeqytetit nuk do ta ketë aspak të lehtë ta arrijë qëllimin, sepse përballë do ta ketë Besën, e cila, objektiv kryesor gjatë gjithë këtij edicioni e kishte Kupën shtetërore, sepse hapin për titull të kampionit e pati humbur qysh moti.

Trajneri i pejanëve, Valdet Shoshi mbetet me shpresë që nga kryeqyteti në Pejë ekipi i tij të kthehet me këtë trofe.

“Objektivi ynë kryesor është të tregojmë lojë të mirë për shikues. Në Prishtinë udhëtojmë me një optimizëm, ndonëse Prishtina e ka përparësinë e terrenit. Po ashtu Prishtina ka një ekip shumë cilësore. Megjithatë, ne shpresojmë që ta përsëritim suksesin e edicionit 2004/2005, kur e patëm fituar Kupën në finale ndaj KEK-ut.”, ka pohuar Shoshi.

Duhet theksuar se në periudhën e pasluftës, Besa dhe Prishtina e ka fituar vetëm nga një herë Kupën e Kosovës. Këtë trofe pejanët e patën fituar në edicionin 2004/05, kurse prishtinasit një sezon më vonë.

Takimi final mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet prej orës 17:45. Organizator i kësaj ndeshje është Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila të premten ka bërë të ditur se i ka kryer të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij takimi.

Sipas zyrtarëve të saj, fituesit të ndeshjes, Kupën e Kosovës do t’ia dorëzoj presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Ndërkohë, një orë para këtij dueli, do të zhvillohet një ndeshje miqësore mes veteranëve të futbollit kosovar dhe politikanëve e anëtarëve të estradës kosovare.

‘Plisat’ e Prishtinës ndeshjen do ta përcjellin nga tribuna perëndimore, kurse ‘Shqiponjat’ e Pejës nga tribuna veriore. Për mbajtjen e rendit do të përkujdesen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Fituesit e Kupës në periudhën e pasluftës

1999/2000Gjilani
2000/2001Drita
2001/2002Besiana
2002/2003KEK-u
2003/2004Kosova(P)
2004/2005Besa
2005/2006Prishtina
2006/2007Liria
2007/2008Vëllaznimi
2008/2009Hysi
2009/2010Liria
2010/2011?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›