Greqia ka nevojë për 100 miliardë euro

Një tjetër paketë ndihme për Greqinë e kërcënuar nga falimentimi, sipas një artikulli të revistës informative gjermane, "Der Spiegel", mund të përmbajë më shumë se 100 miliardë euro.
Ekspertë të Ministrisë gjermane të Financave, të Komisionit të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së e konsiderojnë të mundshëm këtë volum ndihme, nëse Athina do të jetë e varur nga ndihma e huaj edhe në vitet 2013 dhe 2014.
Revista i referohet titujve shtetërorë grekë të borxhit, për të cilët në vitin 2014 është i nevojshëm një financim i ri.
Sipas "Spiegel", sekretari i shtetit për financat Jorg Asmussen, ka bërë të qartë në një takim me funksionarë të lartë të eurozonës, se një ndihmë e mëtejshme për Greqinë është e mundur, vetëm nëse edhe investuesit privatë janë të gatshëm të heqin dorë nga një pjesë e pretendimeve të tyre.
Pa pjesëmarrjen e sektorit privat, nuk do të ketë miratim nga parlamenti federal gjerman dhe pa këtë miratim nuk do të ketë program të ri ndihme, ka deklaruar Asmussen.