Ekspozitë për humanisten, Topalli: Nënë Tereza, karakteri i fortë i genit shqiptar
Figura e një prej personaliteteve më të shquara botërore, humanistes së madhe Nënë Tereza erdhi sot në ekspozitën e piktorit Gjovalin Paci, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Ekspozita e titulluar “Nënë Tereza midis qiellores dhe tokësores” është në serinë e veprimtarive, që Kuvendi po organizon në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në hapje të ekspozitës, tha se nuk njeh personalitet tjetër të shekullit XX, më të admiruar se Nënë Tereza. Ajo vlerësoi punimet ekspozitës dhe u shpreh se “në portretet e Pacit, shihet shpirti i madh i humanistes Nënë Tereza, që simbolizon karakterin e fortë të genit shqiptar”. “Kjo ekspozitë përfshin katër periudha: periudha e fëmijërisë së Nënë Terezës, periudha e zgjimit të shpirtit humanitar, periudha e tretë është aksioni i madh humanitar i saj dhe periudha e katërt është ajo që, Gjovalin Paci e quan midis qiellores dhe tokësores”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.