Ekspozohen shënimet e Enver Hoxhës nga takimi me Stalinin

Një marrëdhënie e gjatë, me ulje-ngritjet e veta, me flirtet dhe mëritë e saj. Edhe pse larg gjeografikisht, Shqipërisë i janë kryqëzuar shpeshherë rrugët me Rusinë. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë u hap mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë dokumentare, që dëshmon një shekull marrëdhënie të Shqipërisë me superfuqinë e largët. Një ekspozitë me dokumente, letërkëmbime dhe fotografi, të cilat janë nxjerrë nga arkivat e Federatës Ruse, por edhe ato shqiptare.
Ndonëse e paraqitur në mënyrë të thukët, me një koleksion të përzgjedhur, është e thjeshtë të kuptosh intensitetin e këtyre marrëdhënieve, në momente të ndryshme të historisë së shtetit shqiptar. Dëshmitë e këtyre marrëdhënieve na vijnë qysh në fillim të shekullit të kaluar, në lidhje me situatën në Shqipëri, në mbrojtjen territoriale dhe pavarësinë e saj, për të vijuar edhe më vonë me letërkëmbime e vendime dypalëshe, të cilat pa dyshim dendësohen pas çlirimit të Shqipërisë. Është periudha e dashurisë së madhe të Shqipërisë me ish-Bashkimin Sovjetik, shoqëruar me vizita krerësh shtetesh, me vendime dypalëshe, marrëveshje etj.
Ka ndër to vendime për heqje vizash, për vendosjen e komunikimit postar, ajror, letër kërkesa për bursa studimi në Bashkimin Sovjetik, si dhe letra falënderuese për ndihmën e dhënë nga BS për industrializimin e vendit, për dërgimin e stafit të specializuar… Ndër to është edhe një letër që Enver Hoxha i dërgon Hrushovit, ku e falënderon për ngritjen e Pallatit të Kulturës, si dhuratë e vendit mik. Ndër letërkëmbime e faksimile vendimesh, në shumë raste vështirë për t’u lexuar, të tërheq vëmendjen një dyfaqësh i shkruar me dorë.
Janë shënime të Enver Hoxhës, mbajtur gjatë vizitës në Moskë, në vitin 1949. Në këtë copëz shënimesh të ekspozuar, ish-diktatori përshkruan takimin me Stalinin dhe pyetjet që i kanë bërë njëri-tjetrit. Nëse Stalini në këto shënime është “Shoku Stalin”, ai vetë është “komandanti”. Enver Hoxha preferonte ta quante veten kështu. Një tjetër letër e shkurtër, lidhur me këtë ngjarje, i dërgohet Tuk Jakovës, ku përshkruhet entuziazmi i vizitës në Moskë.
“Shumë e do shoku Stalin popullin tonë”, i shkruan ai Jakovës.
Por shumë shpejt ky flirt do të merrte fund, Hrushovi duket se nuk e “donte” kaq shumë Shqipërinë. Në vitin 1961, këto marrëdhënie do të ndërpriteshin e do të rivendoseshin sërish dekada më vonë, pas rënies së komunizmit. Marrëdhënie që vazhdojnë sot, me marrëveshje dypalëshe e me aktivitete kulturore të organizuara në të dyja vendet. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 tetor.