E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama voton, Romney prin

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për votim të parakohshëm, dhe ka votuar për zgjedhjet presidenciale në vendlindjen e tij, në Chicago. Paralelisht, një anketë e televizionit ABC nuk del fare e favorshme për të.

Obama aktualisht ndodhet në një turne dyditor, në kuadër të cilit po viziton tetë shtete federale. Kundërkandidati i tij republikan, Mitt Romney, po qëndron në Ohio, që konsiderohet si njëri nga shtetet federale ku rezultati i zgjedhjeve ende mbetet i paqartë.

12 ditë para zgjedhjeve, një anketë e realizuar nga agjencia Langer Research Associates, për televizionin ABC, parashikon se Romney do të fitojë 50 përqind të votave, ndërkaq Obama 47 përqind. Po ashtu, kur të anketuarit u pyetën se cili nga kandidatët krijon më tepër besim tek ata, 52 përqind e zgjodhën Romneyn dhe vetëm 43 përqind Obamën.

Ndryshe, Obama votoi më herët në kuadër të fushatës për popullarizimin e kësaj mënyre të votimit. Bashkëshortja e tij, Michelle ka votuar qysh më 15 tetor.

Sipas BBC, vlerësohet se deri në ditën e zgjedhjeve këtë mundësi do ta shfrytëzojnë afro 35 përqind të votuesve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›