Ekspozon në Times Square
Gjatë tre muajve të kaluar, dhjetëra mijëra artistë morën pjesë në një projekt të ri për të zbuluar talentin e tyre dhe për t’ia shfaqur atë botës. Si rezultat i kësaj disa prej billbordave më të mëdhenj në Times Square të New York-ut u transformuan në një ekspozitë të shkëlqyer të artit.
Të hënën me 18 qershor në New York, Chashama dhe Aleanca Times Square në bashkëpunim me Artist Wanted nga New Yorku prezantuan punën e artistëve në lokacionin e përzgjedhur në Broadway - Times Square, ku u prezantuan artistët më të votuar nga mbarë bota, duke e transformuar atraksionin më të madh global në një ekspozitë spektakolare. Në mesin e tyre qe i pranishëm edhe artisti nga Kosova, Lorik Sylejmani.
E veçanta e kësaj ekspozite është se u mbajt në dy pjesë. E para qe në rrugën e Broadway-t 44, ku punimet e ekspozuara u shfaqen në njërin nga ekranet e mëdha 3 x 4 metra për 4 ore rresht, të cilat patën mundësi t’i shikojnë edhe kalimtarët e shumtë të rastit.
Në pjesën e dytë të ekspozitës, qenë të jenë të ftuar mysafirë specialë nga jeta e showbizit njujorkez, e cila u mbajt më pas në një nga lokacionet në Avenynë e 6-të, me ç’rast u ekspozuan punimet e artistëve pjesëmarrës. Poashtu pjesë e ekspozitës multimediale qenë edhe performansat e AndrewAndrew and Questlove of the Roots si dhe u xhirua emisioni ‘Late Night with Jimmy Fallon’.
Kjo është ekspozita e tretë me radhë, në të cilën merr pjesë edhe artisti Lorik Sylejmani në ShBA, pas asaj në Indiana University dhe ekspozitës në galerinë HUN në New York në vitin 2006.
Sylejmani u shpreh për Express se është një ndjenjë e mirë kur në qendrën më atraktive botërore, në mesin e shumë njerëzve nga mbarë bota shfaqet në ekran puna e tij dhe arrihet qëllimi për t'u parë dhe konsumuar ajo punë, posaçërisht në New York, prej ku, sipas tij, edhe është iniciuar idea e konsumit masiv.
Ai tregoi se si ka arritur të jetë i pranishëm në një ekspozitë kaq të rëndësishme.
“Ka qenë konkurs i hapur, ku kanë konkurruar mese 20 mijë artistë nga mbarë bota dhe mënyra e përzgjedhjes ka qenë me votim dhe ky votim ka zgjatur më shumë se një muaj. Unë qysh mbas javës së parë të votimit kam arritur kuotën e nevojshme për t’u paraqitur në këtë ekspozitë”, u shpreh Sylejmani. Ai shtoi se ajo që e ka bërë edhe më të lumtur, përveç votave nga Kosova, të cilët i falënderon shumë, është fakti se një numër shumë të madh pëlqimesh e ka marrë nga mbarë bota edhe përmes votimit por edhe përmes emailave që ia kanë dërguar shumica nga ta, duke ia pëlqyer punën dhe duke i ofruar bashkëpunime dhe ide për ekspozita të reja.
Sylejmani tregoi gjithashtu se janë gjashtë punime të tij që u ekspozuan në Times Square.
“Janë gjashtë punime nga cikli i vizuelizimit të rock-poezive të dy poetëve njujorkezë, Laurie Anderson dhe Lou Reed, punë të cilat janë pëlqyer edhe nga vet autorët, të cilët edhe i kanë parë punët e mia dhe kanë nga një kopje nga to”, tha ai.
Pjesëmarrja e artistit Lorik Sylejmani në këtë ekspozitë u përkrah nga Ministria e Diasporës e Qeverisë së Republikës së Kosovës.