Ekstradohen britanikët e pedofilisë,qeli speciale në Burgun 302 në Tiranë
TIRANE – Greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin James Arnold kanë mbërritur në Tiranë me pranga. Mesnatën e djeshme, dy të akuzuarit për përdhunimin e disa fëmijëve të moshës 3 deri 13 vjeç u janë dorëzuar policëve të burgjeve, të cilët i kanë dërguar në qelitë e Burgut 302. Burime nga burgjet pohojnë se, njoftimi për ekstradimin e tyre ishte marrë një natë më parë, ndaj për këtë shkak ishte vënë në dispozicion një qeli e veçantë në sektorin e pritjeve të paraburgimit, ku janë izoluar dy shtetasit anglezë. Ndërkohë, pas ditës së nesërme pritet që ata t’i vizitojnë në qeli përfaqësuesit e ambasadës angleze, familjarët si dhe avokatët e tyre, nëse do zgjedhin. Ndërkohë, mesditën e nesërme dy anglezët pritet të dërgohen në Gjykatën e Tiranës para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku, për të nisur shqyrtimi i çështjes në ngarkim të tyre. Dy seancat e mëparshme për Christodoulou 45 vjeç dhe Arnold 56 vjeç, ishin shtyrë për shkak se pritej ekstradimi i tyre. Ndërkohë në një proces tjetër po gjykohet miku i tyre David Brown, 52 vjeç. I vetëm, po gjykohet edhe Janaq Papaleka, 33 vjeç nga Erseka, ish-kuzhinier i fondacionit i akuzuar për “moskallëzim krimi”. Procesi penal në ngarkim të tyre nisi më 16 maj të vitit 2006 kur pas një kallëzimi penal të depozituar në Prokurorinë e kryeqytetit nga shtetasja holandeze Jacoba Dikken, u arrestua Brown, kreu i qendrës bamirëse “Fëmijët e tij”. Më pas, u prangos edhe Papaleka si dhe u shpallën në kërkim dy anglezët Christodoulou dhe Arnold, të cilët u prangosën më pas në Londër për llogari të autoriteteve shqiptare. Sipas Prokurorisë, Brown ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1999 dhe ishte prekur nga varfëria e fëmijëve romë, ndërsa dy vjet më vonë do të krijonte fondacionin “Fëmijët e tij” për t’u ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve. Më pas, kur në fondacion jetonin disa fëmijë, Brown njihet me greko-anglezin Christodoulou dhe skocezin Arnold, të cilët kanë sponsorizuar shuma të ndryshme të hollash për këtë shoqatë. Pas kësaj, ata kanë filluar të abuzojnë seksualisht me fëmijë të shumtë të moshës nga 3 deri në 13 vjeç, të cilët gjatë procesit që po zhvillohet ndaj Brown kanë pohuar se Christodoulou dhe Arnold kanë abuzuar seksualisht me disa prej tyre. fa.ma.
Dënimet
Greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin Arnold rrezikojnë të vuajnë dënime deri në 20 vjet burg, nëse gjykata i deklaron fajtorë për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur.