Atentat emigrantëve te “Pirro Mani”
Dashamir Biçaku
Dy persona mbetën të plagosur pas një atentati të ndodhur dje, në rrugën “Ali Demi”, pranë ambienteve të restorantit “Pirro Mani”, në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, kur një person i vetëm qëlloi me armë në drejtim të dy të tjerëve, të cilët ishin duke dalë nga restoranti ku kishin drekuar. Sipas policisë, Roland Domi, 36 vjeç dhe Çlirim Goroshjani, 37 vjeç mbetën të plagosur pasi u qëlluan me gjashtë plumba pistolete. Të plagosurit sipas burimeve të policisë janë emigrantë me qëndrim jashtë vendit, përkatësisht Roland Domi në Gjermani dhe Çlirim Goroshjani në Itali. Policia ka zbuluar se ata kanë pasur hyrje-dalje të shpeshta në Shqipëri nga vendet ku qëndrojnë si emigrantë. Roland Domi, banues në Kombinat dhe Çlirim Goroshjani, në lagjen “Ali Demi”, pas atentatit me armë ndaj tyre, u dërguan me urgjencë në spital nga dy të njohur të tyre. Në spital ata kanë marrë edhe ndihmën e parë nga mjekët, të cilët thanë se kanë nxjerrë nga rreziku për jetën dy të plagosurit. Gjithsesi, dje në mbrëmje policia por edhe mjekët thanë se Roland Domi ishte në gjendje të rëndë, për shkak të një plage të marrë në bark, dhe një tjetër goditje me plumb në kofshë. Policia, e cila filloi hetimet për atentatin ka shoqëruar në komisariat disa dëshmitarë okularë dhe klientë që ndodheshin në lokal kur ndodhi ngjarja. Ata kanë shprehur dyshimet e tyre se, autori i ngjarjes ka qenë një person, i cili ka biseduar me dy të plagosurit dhe pasi i ka qëlluar ata është larguar përmes rrugicave, nga krahu i poshtëm i restorantit. Atentatori nuk është identifikuar ende nga policia e cila dyshon se, krimi mund të jetë pasojë e ndonjë konflikti të bartur nga jashtë ose ndonjë mosmarrëveshje mes palëve e lindur në Tiranë.
Atentati
Çlirim Goroshjani dhe Roland Domi, si dhe dy miq të tjerë të tyre kanë qenë në restorantin e njohur në rrugën “Ali Demi”, për të drekuar së bashku. Pasi kanë përfunduar drekën, dy të plagosurit kanë dalë nga lokali dhe janë afruar për të hyrë në një “Mercedez-Benz” të zi, model Rexhina me targa, TR 1380 L, në pronësi të Roland Domit. Një person i veshur thjeshtë, me xhinse, me flokë të zeza, u është afruar dhe në mënyrë të menjëhershme ka qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri. Sipas burimeve të policisë, autori ka qëlluar 6 herë në drejtim të dy personave me qëllim eliminimin e tyre fizik. Çuditërisht, nga të shtënat Goroshjani dhe Domi, kanë marrë vetëm plagë anësore ose në këmbë. Autori i krimit është larguar menjëherë. Sipas burimeve të policisë që i referohen dëshmitarëve, autori që mendohet se ka vepruar i vetëm, është larguar në këmbë duke kaluar në një rrugicë në krahun e poshtëm të restorantit. Më pas, ai është futur përmes pallateve për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Dy të plagosurit janë nisur për në spital me një mjet tjetër “Mercedez-Benz” të dy shokëve të tyre me të cilët sapo kishin drekuar. Të plagosurit i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të nxjerrë plumbat dhe mjekuar plagët në Spitalin Ushtarak. Në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë kanë administruar së paku 6 gëzhoja të një pistolete të kalibrit 6.62 që mendohet se është “TT”. Të gjitha këto janë administruar nga ekspertët e policisë në cilësinë e provave për ngjarjen. Disa prej dëshmitarëve që janë shoqëruar në polici, kanë dhënë informacione sipërfaqësore mbi ngjarjen, por nuk kanë mundur të japin një përshkrim të saktë të autorit. Ndërkaq, policia dje në mbrëmje ka mundur të marrë një dëshmi verbale nga të dëmtuarit, të cilët nuk kanë mundur të japin ndonjë detaj mbi autorin. Hetimet e policisë janë përqendruar edhe në zbardhjen e aktivitetit të personave që mbetën të plagosur në atentat. Hetuesit po verifikojnë veprimtarinë e tyre përkatësisht në Itali dhe në Gjermani.
Policia shtetrrethim në zonë pas atentatit
TIRANE - Atentati i djeshëm pranë restorantit të njohur “Pirro Mani”, është shoqëruar me një braktisje të klientëve, për shkak të frikës së krijuar pavarësisht se, policia ka mbërritur në lokal me shpejtësi. Për të pasur një hetim sa më të qetë prej kamerave dhe gazetarëve, policia ka mbyllur derën e jashtme të oborrit të lokalit. Më pas, hetuesit dhe ekspertët kanë nisur të kryejnë veprimet e tyre, duke marrë në pyetje dëshmitarët një e nga një. Ndërkaq ekspertët nga ana tjetër, kanë kryer verifikimin e vendit të ngjarjes dhe makinës së personave të dëmtuar, e cila ndodhej në oborrin e lokalit. Ekspertët kanë administruar gjatë punës së tyre në lokal gëzhojat që ishin të shpërndara në oborrin e restorantit. Sipas burimeve të policisë, disa prej gëzhojave dhe predhave të pistoletës, janë gjetur në brendësi të makinës me të cilën do të lëviznin të plagosurit. Po kështu ekspertëve u është dashur të hapin edhe bagazhin dhe kofanon e automjetit për të kërkuar nëse mund të kishin rënë predha. Jashtë lokalit, disa furgonë policie kishin bllokuar derën kryesore dhe askush nuk lejohej të hynte aty nga forcat e rendit. Ndërkaq, kureshtarët jashtë dyerve të lokalit ishin të shumtë dhe secili prej tyre mundohej të kuptonte se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Një djalë rreth 25 vjeç, që banon në lagje, pohoi dje për gazetën “Panorama”, se kishte dëgjuar disa të shtëna rreth orës 15:50. “Unë isha në një lokal këtu afër kur ndodhi ngjarja. Dëgjova disa krisma rresht njëra pas tjetrës, pohon i riu, që refuzon të identifikohet. Sipas tij, kjo nuk zgjati shumë. “Të shtënat u dëgjuan brenda pak sekondave, ndoshta rreth 10 sekonda mund të ketë zgjatur kjo”, pohoi i riu. Ai tregon se pas pak minutash ishte afruar përballë lokalit në anën tjetër të rrugës kryesore. “Pashë një Benz të zi, me dyer të hapura. Një autoveturë tjetër e bardhë dhe me portobagazh, doli nga lokali me shpejtësi dhe u drejtua për në rrugë”, tregon ai. Sipas banorit të lagjes, mjeti pasi mori kthesën bëri dy zig-zage dhe desh u përplas me shtyllën, por nuk pësoi gjë dhe u largua. “Nuk vonoi shumë dhe policia mbërriti aty dhe rrethoi lokalin. Largoi të gjithë kureshtarët dhe disa të tjerë i futi në furgon,- përfundon dëshmitari okular.
Policia: Të plagosurit, emigrantë, kanë hyrje të shpeshta në Shqipëri
TIRANE - Dy të plagosurit në atentatin e djeshëm, Roland Domi, 36 vjeç dhe miku i tij, Çlirim Goroshjani, sipas policisë janë emigrantë prej vitesh përkatësisht në Gjermani dhe Itali. Ata kanë mundur të ndërtojnë atje jetën e tyre, pasi kanë emigruar vite më parë. Të dy personat sipas burimeve të grupit hetimor, pavarësisht faktit se janë rezidentë në Itali dhe Gjermani, prej vitesh kanë pasur hyrje-dalje të herë pas hershme të tyre në Shqipëri apo dhe anasjelltas. Këto të dhëna janë siguruar nga hetuesit dhe specialistët e krimeve, pas identifikimit të të plagosurve dhe pas një kontrolli të shpejtë në sistemin TIMS. Sigurimi i këtyre të dhënave ka ndihmuar policinë për të siguruar një informacion të përgjithshëm mbi të dëmtuarit me qëllim për zbardhjen e shkakut të atentatit ndaj tyre. Nga këto hyrje dalje të shpeshta të të dëmtuarve në Shqipëri, hetuesit janë munduar të zbulojnë qëllimin këtyre udhëtimeve të shpeshta. Po kështu, burimet pohojnë se ata janë munduar të zbardhin aktivitetin e dy të plagosurve në vendet e tyre rezidente, në Itali dhe Gjermani, problemet apo konfliktet që ata mund të kenë pasur gjatë qëndrimit atje. Grupi hetimor i ngjarjes, është përpjekur të marrë edhe të dhëna apo informacione mbi jetën e Çlirim Goroshjanit dhe të Roland Domit në Shqipëri, lidhjet shoqërore të tyre dhe të dhëna të tjerë në ndihmë të hetimit. Nga pyetja e dy miqve të personave të plagosur, policia nuk ka mundur të zbulojë fakte apo të dhëna që hedhin dritë mbi shkakun apo autorin e krimit. Ata kanë pohuar për hetuesit se, nuk kishin dijeni mbi konflikte apo përplasje të mundshme të dy miqve të tyre, apo secilit veç e veç me të tjerë. Edhe pse policia pohoi se, nuk kishte identifikuar autorin e krimit, hetuesit pohuan se kanë disa persona të dyshuar që mund të jenë përfshirë në ngjarje.