E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen dy shtetas të dënuar për vrasje

Dje pasdite u krye ekstradimi nga Athina i shtetasit Arben Çollaku, 28 vjeç, nga Cërriku. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e ka dënuar me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje.

Arben Çollaku së bashku me Bardhyl Kabilën, në verën e vitit 1997 kanë vrarë në qytetin e Cerrikut shtetasin Ndriçim Gjolena. Që prej asaj kohe autorët janë larguar nga Shqipëria.  

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën më datën 24 dhjetor 2007, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë i shtetasit Arben Çollaku.

Po dje nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Laver Danaj, 64 vjeç, nga Vlora.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar shtetasin Laver Danaj, me 18 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të vrasjes me dashje, prishjes së qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje.

Krimi për të cilin shtetasi Laver Danaj është deklaruar fajtor ka ndodhur më 10.08.1999, kohë kur shtetasi Laver Danaj ka vrarë me armë zjarri shtetasin Arben Ademi.

I ekstraduari Laver Danaj, ka patur konflikte të vazhdueshme me fqinjët e tij, shtetasit Golik dhe Arben Ademi, lidhur me të drejtën e kalimit në një rrugë që ndodhej midis dy shtëpive. Konflikti është bërë objekt gjykimi nga Gjykata Vlorë, e cila ka vendosur t’i japë të drejtën e kalimit shtetasit Laver Danaj. Konflikti më pas ka vazhduar për një sipërfaqe toke që ndodhej pas shtëpisë së shtetasit Arben Ademi, të cilën Laver Danaj e kishte rrethuar me gardh.

Më 10 gusht 1999, shtetasi Arben Ademi, ka filluar të prishë gardhin e ndërtuar nga Laver Danaj. Familjarët e shtetasit Arben Ademi i kanë kërkuar të mos e prishë gardhin por ai ka vazhduar veprimet e tij. Aty ka mbërritur Laver Danaj, dhe pas një debati të ashpër ky i fundit është drejtuar për tek banesa e tij , ku ka marrë një armë zjarri automatike që e mbante pa lejen e organeve kompetente dhe nga veranda ka qëlluar në drejtim të shtetasit Arben Ademi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit shtetasi Laver Danaj, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 25 mars 2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit në fjalë.

Shtetasit Arben Çollaku dhe Laver Danaj i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›