E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen nga Italia 3 të kërkuar për trafik narkotikësh

Tre shqiptarë, ku dy prej tyre gra janë ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik narkotikësh. Sipas zyrës qëndrore Kombëtare të Interpol Tiranës janë ekstraduar shtetasit Enkeleida Tonuzi, 32 vjeçe, lindur në Durrës, Naxhije Osmani, 55 vjeçe, lindur në Lin dhe Sami Osmani, 60 vjeç, lindur në Durrës.
Sipas policisë Enkeleida Tonuzi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bolzanos e ka dënuar me 5 vjet, e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të "Trafikut të narkotikëve".
Ndërsa Sami Osmani është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bolzanos e ka dënuar me 9 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Trafikut të narkotikëve" ndërsa pjesa e mbetur e dënimit për të vuajtur është 5 vjet, e 3 muaj, e 13 ditë burg.

Sipas Interpolit 55-vjeçarja Naxhije Osmani është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bolzanos e ka dënuar shtetasen e mësipërme, me 5 vjet e 5 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të "Trafikut të narkotikëve".

Tre të arrestuarit janë deklaruar fajtor, pasi, gjatë periudhës nëntor 2003 - mars 2004, në Bolzano, Itali, kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar, që trafikonte heroinë dhe kokainë nga Shqipëria drejt Italisë. Detyra e tyre ishte mbështetja logjistike, transporti, ruajtja dhe mbajtja e llogarive të grupit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›