E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e dëborës, probleme në qarkun e Korçës

Dimri i këtij viti nuk po i ndahet qarkut të Korçës. 48 orët e fundit kanë qënë mjaft të vështira të shoqëruara me reshje të shumta dëbore. Trashësia e borës në shumë vende ka kaluar dhe të 50 centimetrat, ndërsa kjo ka sjellë ribllokimin e disa zonave, si dhe rrugë mjaft problematike në disa akse të tjera të këtij rajoni.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit është bllokuar totalisht komuna e Lekasit në rrethin e Korçës dhe bashkë me të edhe segmenti rrugor që të çon në qendër të saj, si dhe aksi Voskopojë-Lekas. Përsa i përket 12 fshatrave të këtyre komunave, ata janë izoluar përsëri. Lidhur me rrugët që të çojnë në zonat turistike të Dardhës dhe Voskopojës edhe në to kalimi është shumë i vështirë.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Nacionale mësohet se në segmentin Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Dardhë kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë që me zinxhirë qarkullohet dhe në segmentin Bellovodë-Vithkuq. Aktualisht në të gjithë qarkun e Korçës janë plot 30 fshatra të izoluar, ndërsa edhe komuna Trebinjë në rrethin e Pogradecit, gati e gjitha është e izoluara nga dëbora e dy ditëve të fundit.

Gjendje dramatike paraqitet dhe në fshatrat e Vakëfeve në komunën e Vithkuqit si: Shtylla, Panariti, Grabocka, Trebicka, Orgocka dhe Treska të cilët kanë më shumë se 1 muaj të izoluar dhe janë në vështirësi përsa i përket rezervave ushqimore, që janë drejtë fundit.

Ndërsa fshatra të mbyllur totalisht nga bora evidentohen edhe në komunën e Novoselës në Kolonjë, kurse situata e akseve nacionale është pozitive. Falë ndërhyrjes gjatë natës së kaluar me borëpastruese ato janë të hapura dhe kalimi në to bëhet pa probleme me disa vështirësi vetëm në Qafën e Qarrit ku kalohet me zinxhirë në segmentin Korçë-Ersekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›