E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet drejt Italisë Sy Akulli

Ali Ismailaj, ose "Sy Akulli"

Ekstradohet drejt Italisë28-vjeçari Ali Ismailaj, i cili thërritet me pseudonimin Sy Akulli.

Ky i fundit është i famshëm për arratisjen e tij nga burgu Regina Coeli i Romës.

28-vjeçari i njohur në Itali me emrin Altin Hoxha bëri bujë me arratisjen e tij në janar të këtij viti nga burgu Regina Coeli, në qendër të Romës.

Pas sharrimit të hekurave të dritares, i burgosuri kishte zbritur në oborrin e burgut dhe me pas pati kapërcyer murin rrethues në një pikë, ku nuk ka pasur roje. Ai kishte përdorur thjesht çarçafët si litarë dhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në atë kohë dëshmuan një arratisje fare të lehtë, duke shkaktuar polemika të mëdha e duke u kthyer në një makth të vërtetë për forcat e rendit.

Altin Hoxha konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë në Itali. Për shkak të egërsisë dhe ftohtësisë me të cilën kryente vjedhjet në Itali dhe për shkak të ngjyrës së syve, njihej me nofkën burri me sy të akullt.

Gjykata e Penale e Romës kishte lëshuar për të një urdhër arresti ndërkombëtar pasi dyshohet se në bashkëpunim me 8 persona të tjerë, shqiptarë të arrestuar nga policia, kishte kryer më shumë se 50 grabitje me dhunë të vilave luksoze në qytete të ndryshme të Italisë.

Sipas hetuesve vjedhjet e para të kësaj bande kanë nisur në maj të vitit 2010 dhe janë karakterizuar nga metoda të ashpra kundër pronarëve të vilave, të cilëve pasi u merrnin paratë i rrihnin dhe i kërcënonin me armë.

Në 19 janar të vitit të 2011 në lokalitetin Brufa të Perugias u grabit edhe trajneri Cosmi. Pikërisht ndihma e tij kanë qenë e vyer për hetuesit, sepse trajneri kishte dhënë elementë me vlerë mbi fizionominë e personave që e kishin vjedhur dhe veçanërisht për Altin Hoxhën.

Dy muaj e gjysmë pas arratisjes nga burgu, ai u arrestua në Vlorë, falë bashkëpunimit mes skuadrës speciale të Romës dhe Interpol Tiranës.

Pas masës së burgut pa afat të vendosur nga Gjykata e Vlorës, u autorizua ekstradimi dhe transferimi i tij në Itali. /E.L/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›