E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet drejt SHBA-së i kërkuari për një sërë krimesh

Ekstradohet nga Shqipëria drejt SHBA-së një 53-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë krimesh.Burime nga policia bëjnë me dije se rreth orës 04.30 , u krye ekstradimi nga Tirana, drejt SHBA-së, i shtetasit shqiptar, Hektor Kelmendi, alias Deme Nikqi 53 vjeç, lindur në Pejë, Kosovë, i pajisur me pasaportë serbe.
Kelmendi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington, pasi mbi të rëndojnë një sërë akuzash për kryerjen e krimeve shumë të rënda si organizim të emigracionit ilegal, plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje, si dhe organizim të trafikut të qenieve njerëzore.
Gjykata e Rajonit Lindor të New York-ut me datë 19 maj 2010 ka lëshuar Urdhrin e arrestit për këtë shtetas, për këto vepra penale mbështetur në Kodin Penal Amerikan: "Nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan me pasojë vdekje" një herë, "Nxitjen ndaj një të huaji për të hyrë në territorin amerikan duke shkaktuar dëmtime të rënda trupore dhe vënien në rrezik të jetës", 3 herë, "Kontrabandë të huajsh", 13 herë, "Nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan", 10 herë, "Konspiracion për të sjellë të huaj në territorin amerikan", një herë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Washington, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi, më datë 04.10.2011, në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, me qëllim ekstradimi drejt SHBA-së.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›