E Diel, 1 Nëntor 2026

I vodhën 150 mln lekë biznesmenit, policia arreston grupin e vajzave 'hajdute'

TIRANË- Strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës arrestuan një grup vajzash, ndërkohë proceduan në gjëndje të lirë edhe një mashkull 16-vjeçar me inicialet G.J, pasi akuzohen për vjedhjen e një binzesmeni kryeqytetas.

Zëdhënësja e policisë Alma Katragjini në një deklaratë për mediat bëri me dije se janë arrestuar shtetaset Afërdita Adem Pepmarkaj 19-vjeçe, Olgerta Sulejman Pagushi 18-vjeç dhe Laureta Sabri Kollaku 18-vjeçe, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëra-tjetrën në fillim të këtij viti dhe tetor-nëntor të vitit 2011, kanë vjedhur në banesën e biznesmenit Avdyl Trojko, 42-vjec me banim në Tiranë, shumën prej 150 milion lekësh të vjetra.

Mësohet se këto shtetase kanë realizuar vjedhjen e biznesmenit në dy etapa brenda tre muajve. Policia bën me dije se ato i kanë shpenzuar paratë duke investuar në dy dyqane parukerish dhe duke dhënë hua shoqërisë.

Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit konfirmuan se arrestimi i tre shtetaseve u bë i mundur një natë më parë nga uniformat blu të Komisariatit të Policisë Nr.4 në kryeqytet, ndërsa mësohet se tre të arrestuarat jetonin në të njëjtin pallat me biznesmenin 42 vjeçar.

Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi një shumë parash, të vjedhura në banesën e të dëmtuarit, një ambjent dyqani parukerie rreth 50 m katror në rrugën "Hoxha Tasim" dhe një apartament 60 m katror tek Xhamlliku.

Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›